Interpelancë për “Detin”, PD e LSI thërrasin ministrin e Jashtëm

13/11/2017 14:52

Bisedimet e Kretës mes Shqipërisë dhe Greqisë për çështjet dypalëshe nuk kanë ende një verision zyrtar dhe deputetët e opozitës kërkojnë në interpelancë ministrin e Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati.

“Së pari është më racionale që ministri Bushati para se të bëjë takime të rëndësishme të paraqesë, qoftë dhe me dyer të mbyllura, platformën e atyre bisedimeve”, deklaroi deputeti i PD, Tritan Shehu.

“Është shumë me vend për ta dëgjuar se çfarë është diskutuar”, tha ish-ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha.

“Do të ishte shumë e nevojshme për informimin tonë dhe të publikut se cilat janë hapat që janë ndjekur dhe cilët janë ata që do të ndiqen më pas”, tha nga ana tjetër deputetja e PS, Mimi Kodheli.

Kërkesa e opozitës është pranuar. Më herët deputetët e komisionit të politikës së jashtme diskutuan buxhetin e Ministrisë së Diasporës.

Ministri Pandeli Majko tha se një nga synimet kryesore është përgatitja e infrastrukturës për votimin e emigrantëve, gjë kjo që u mbështet nga të gjitha partitë politike.

“E drejta e votës së emigracionit dhe diasporës kërkon konfidencën e të dyja palëve, por mbi të gjitha transparencën e qeverisë”, tha Majko. “Ne do të ishim të gatshëm t’ju ndihmonim me çfarëdolloj fondi që kjo qendër të hapet sa më parë dhe vota e emigrantëve të bëhet realitet”, tha Gjosha.

“Ka ardhur momenti që ne të bëjmë këtë hap të rëndësishëm duke u dhënë të drejtën e votës shqiptarëve aty ku janë”, tha më tej Shehu.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA