Favoriti kryesor për të fituar “Topin e Artë” këtë vit është padyshim Cristiano Ronaldo, autor i një supersezoni si protagonist, në të cilin fitoi La Ligën dhe Championsin me Realin e Madridit, madje në Europë ishte trofeu i dytë radhazi.
Por, në rrjetet sociale qarkullon një foto që të gjithë po e quajnë montazh të pastër, e që në mënyrë të bujshme nxjerr fitues Lionel Messin.
Në imazhin kontrovers, që ekspertët e cilësojnë të manipuluar, shihet futbolisti argjentinas në kopertinën festive të “France Football”, duke ngjallur dyshime nëse është një “fake news” apo e vërtetë.
Për të mësuar të vërtetën do të duhet të presim muajin dhjetor, por ndërkohë kjo është kthyer në një “spy story” në futbollin kontinental.
Skenari që të gjithë parashikojnë është Cristiano Ronaldo në podiumin e më të mirit, me portugezin që u konfirmua në fron edhe në ceremoninë e FIFA-s, javë më parë.
Misteri i “Topit të Artë” do të zbulohet më 7 dhjetor, kur ish-futbollisti francez David Ginola të prezantojë ceremoninë e trofeut prestigjioz të “France Football” dhe të shpallet edhe fituesi.
Top Channel