Spanjë, Rajoy prezanton kandidatin në Katalonjë: I japim fund krizës

12/11/2017 13:57

Kryeministri spanjoll Mariano Rajoy mbërriti në Barcelonë për të prezantuar kandidatin e Partisë së tij Popullore në zgjedhjet e 21 dhjetorit, e nga kryeqendra e Katalonjës deklaroi se lokalet e muajit të ardhshëm do të ndihmojnë t’i jepet fund kaosit në rajonin e pasur verilindor që tentoi shkëputjen.

Duke mbrojtur vendimin e tij për të imponuar mbi Katalonjën kontrollin direkt të Madridit zyrtar, shefi i ekzekutivit spanjoll shpjegoi se “nuk kishte lënë rrugë pa përdorur” përpara se të hidhte hapin ekstrem, në vazhdën e shpalljes së njëanshme të pavarësisë nga qeveria katalanase muajin e kaluar.

Disa prej anëtarëve të saj, të shkarkuar tashmë, sot gjenden prapa hekurave. Plot 750 mijë vetë protestuan në Barcelonë të shtunën, kundër arrestimit të tyre, ndërsa presidenti Carles Puigdemont dhe 4 ish-ministra presin në Belgjikë të shohin se çfarë rrjedhe do të marrë fati i tyre.

Rajoy iu drejtua asaj që e quajti “mazhoranca e heshtur e Katalonjës”, duke i bërë thirrje për pjesëmarrje në zgjedhje. “Ktheheni zërin tuaj në votë, – ishte mesazhi i tij. Duhet ta nxjerrim Katalonjën nga kaosi i separatizmit”.

Partia e majtë “ERC”, një aleate kyçe e Puigdemontit njoftoi se disa prej udhëheqësve të burgosur, përfshirë kreun e saj Oriol Junqueras, si dhe një pjesë e ministrave të ndodhur në Belgjikë, do të figurojnë në listën e saj elektorale.

“ERC”-ja, megjithatë i refuzoi thirrjet e Puigdemont për të mos i pranuar zgjedhjet si pjesë e bllokut të partive pro pavarësisë. Anketimi më i fundit i publikuar nga gazeta katalanase “La Vanguardia” tregon se, kjo parti do të marrë shumicën e votave në dhjetor. Në zgjedhjet e fundit rajonale, përpara dy viteve, Partia Popullore e Rajoyt siguroi vetëm 8.5% të votave.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA