Presidencialet në Slloveni. Sot balotazhi mes Pahor dhe Sarec

12/11/2017 11:28

Sllovenët i janë drejtuar qendrave të votimit për balotazhin e zgjedhjeve presidenciale, ku Presidenti Borut Pahor shpreson për një mandat të dytë, ndërsa kryebashkiaku i qytetit Kamnik, Marjan Sarec kërkon drejtimin e vendit.

Në raundin e parë, të mbajtur përpara 3 javësh, Pahor siguroi rreth 47% të votave, ndërsa Sarec, një ish-komedian dhe imitues, u rendit i dyti me pothuajse 25%. Falë një avantazhi të tillë dhe sondazhet e fundit të opinionit që e vendosin në krye, Pahor praktikisht duhet të flinte i qetë, por hendeku i tij me rivalin është ngushtuar ndjeshëm këto ditët e fundit. Ish-kryeministri i Sllovenisë nga radhët e socialdemokratëve është në pushtet që nga viti 2012. Pahorin e quajnë ndryshe edhe si “Presidenti nga Instagrami”, sepse atë e ndjekin në këtë rrjet social rreth 40 000 persona.

Por, mediat sllovene e kritikojnë për faktin se gjatë fushatës elektorale nuk është marrë me problemet serioze të vendit. Nëse e fiton shumicën, që edhe pritet, Pahor, që këtë herë garon si i pavarur, do të jetë pas Millan Kuçanit Presidenti i vetëm i vendit që ka siguruar dy mandate.

Kundërshtari i tij, nga ana tjetër, ishte një figurë relativisht e panjohur në Slloveni. Për dallim prej 54-vjeçarit Pahor, i cili gjatë karrierës së tij ka qenë edhe kryetar i Parlamentit, kryeministër dhe deputet në Parlamentin Evropian, Shareci 39-vjeçar ka filluar të merret me politikë vetëm para 7 vitesh e kjo, në nivelin lokal. Edhe pse roli i Presidentit në Slloveni është gjerësisht ceremonial, ai drejton ushtrinë dhe ka në dorë caktimin e një sërë zyrtarësh të lartë, përfshirë Guvernatorin e Bankës Qendrore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA