Partia Demokratike njofton se “Kryetarja e Komisionit Parlamentar të Medias informoi Forumin e Gruas së Partive Popullore Europiane rreth përkeqësimit të lirisë së medias në Shqipëri, si një taktikë e Kryeministrit për të penguar publikimin e lidhjeve të Qeverisë së tij me organizatat kriminale”.
“Kryeministri i Shqipërisë po shantazhon dhe kërcënon gazetarët për të mbuluar skandalet me trafikun e drogës dhe aferat korruptive, të ministrave të rëndësishëm të Qeverisë së Tiranës”, tha Vokshi në takimin e Berlinit.
Vokshi theksoi se përgjimet e antimafias italiane, ku implikohet, sipas saj, ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri dhe fushata elektorale e PS-së, faktojnë blerjen e rezultatit zgjedhor në qershor 2017. Përgjimet e anti-mafias italiane, tha zonja Vokshi në fjalën e saj, vërtetuan denoncimet disavjeçare të PD-së si dhe raportet e OSBE-ODIHR për blerje vote, kërcënime dhe trembje të votuesve nga anëtarë të organizatave kriminale.
“Për të kontrolluar publikimet e skandaleve qeveritare, Kryeministri po bën çdo përpjekje për të intimiduar lirinë e gazetarëve dhe lirinë e shprehjes”, shtoi Vokshi.
Kryetarja e Lidhjes Demokratike të Gruas së Shqipërisë, Albana Vokshi, kërkoi nga Forumi i Gruas së PPE të reagojë ndaj përkeqësimit të lirisë së medias.
Top Channel