Me Putinin patëm disa diskutime të mira, tha Presidenti amerikan Donald Trump, duke iu referuar takimit të tyre të shkurtër jozyrtar në kuadër të samitit të Azi-Paqësorit.
Përmes Twitter-it, shefi i Shtëpisë së Bardhë kritikoi “budallenjtë e ata që urrejnë”, të cilët nuk inkurajojnë, sipas tij, marrëdhëniet pozitive mes vendeve. Shefi i Kremlinit i kishte thënë më herët se ndihej i ofenduar nga akuzat e ndërhyrjes ruse në presidencialet e vitit 2016 dhe komentet e Putinit, në pikëpamjen e Trumpit, mjaftojnë për të barazpeshuar bindjen e komunitetit amerikan të inteligjencës se Moska u përpoq t’i “rregullonte” rezultatet në favor të tij.
“Putini më tha se nuk është përfshirë absolutisht në zgjedhjet tona”, deklaroi Presidenti i SHBA-së, por pas një vale kritikash të ashpra, u detyrua të tregonte se e mbështet përfundimin e shërbimeve sekrete.
“Pavarësisht nëse e besoj apo jo, jam me agjencitë. Unë kam besim tek agjencitë tona të inteligjencës. Se çfarë thotë Putini, është punë e tij”, tha Trump.
Mes dy liderëve nuk pati një takim formal gjatë samitit të APEC-ut, por ata u gjendën përballë njëri-tjetrit në 3 raste të ndryshme, ku diskutuan si për zgjedhjet amerikane, ashtu edhe për krizën e Sirisë. Senatori republikan, John McCain, një kritik i ashpër i Trump, e quajti Presidentin “naiv” që i beson fjalës së një koloneli të KGB-së përpara asaj të inteligjencës amerikane.
Nga i njëjti event, kreu i Shtëpisë së Bardhë lëshoi disa shigjeta drejt Kim Jong-unit në Twitter, duke e quajtur “të shkurtër e të shëndoshë” dhe i ofroi Azisë shërbimet e tij si ndërmjetësues.
Top Channel