Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri inspektoi në Peshkopi zyrat e shërbimit të Postës Shqiptare dhe Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.

Pasi u njoh me fluksin e punës së shërbimit të Postës Shqiptare, ministri konstatoi se ky sportel është një mjet komunikimi me pushtetin qendror dhe shumë i domosdoshëm sidomos për zonat rurale.

“Qeveria shqiptare ka lançuar reformën e uljes së barrës administrative dhe barrës së dokumentacionit që duhet të paraqesin qytetarët. Synohet lehtësimi i shërbimeve përmes komunikimit online. Mendoj se Posta Shqiptare duhet të jetë një instrument shumë i rëndësishëm për të marrë shërbime qytetarët edhe pa vajtur në qendra të mëdha administrative e qendra qarqesh. Ne do të punojmë në këtë drejtim, duke investuar më shumë në sektorin postar”, u shpreh Gjiknuri.

Gjatë ndalesës në zyrat e Kujdesit ndaj Klientit, ministri Gjiknuri tha se është reduktuar ndjeshëm edhe në këtë njësi numri i ankesave çka tregon për një punë më të mirë në faturim.

“Në zonën e Dibrës po vazhdojnë shumë investime të rëndësishme. Kuptohet, megjithëse është një vit i vështirë për OSHEE-në për shkak të thatësirës së zgjatur, investimet e nisura do të përfundojnë. Siç dëgjova dhe nga bisedat që pata me drejtorin e kompanisë për këtë zonë, kemi një rënie drastike të humbjeve krahasuar me nivelet që ka patur Dibra. Pothuajse është përgjysmuar humbja dhe kjo ka ardhur si rezultat i një pune më të mirë të punonjësve por edhe investimet”, nënvizoi Gjiknuri.

Duke qenë se muajt e dimrit janë pëprara, ministri Gjiknuri porositi drejtuesit e OSHEE-së për një ripozicionim të burimeve njerëzore duke i dhënë përparësi terrenit.

“I kërkova të gjithë drejtuesve këtu të mbajnë ritmin e punës pasi përpara kemi sezonin e dimrit e mund të ketë probleme. Duhet të jemi në gjendje të ndërhyjmë menjëherë në ato zona ku mund të ketë defekte për shkak të motit. Duhet të bëjmë dhe një riorganizim të punës, ndarje më të mirë të stafit teknik në terren. Elektriçistët duhet të jenë më afër njësive administrative të vogla”, tha Gjiknuri.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA