Kryenegociatori i BE-së, Michel Barnier tha se blloku europian po harton plane emergjence në kuadër të kolapsit të mundshëm të bisedimeve të ndarjes me Britaninë e Madhe.
Barnier, i cili pak ditë më parë i dha Britanisë dy javë kohë për të sqaruar shumën që është e gatshme të paguajë në kuadër të divorcit, deklaroi për gazetën franceze “Journal du Dimanche” se, dështimi i bisedimeve nuk është opsioni i tij i preferuar.
“Por kjo është një mundësi. Të gjithë duhet të bëjnë gati plane për këtë, qofshin shtete anëtare, apo biznese. Edhe ne po bëjmë përgatitje teknike për këtë”, deklaroi Barnier.
Kryenegociatori i BE-së paralajmëroi se një kolaps i mundshëm i bisedimeve do të kishte pasoja në shumë fusha, që nga aftësia e avionëve britanikë për t’u ulur në Europë e deri te kafshët që kalojnë kanalin anglez.
Pa një marrëveshje për tregtinë e ardhshme, Barnier tha se BE-ja dhe Britania do të merren vesh bazuar në rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë, siç Brukseli bën me Kinën. Sipas BE-së, opsioni i vetëm për tregti pa probleme do të ishte qëndrimi i Britanisë në unionin e doganave dhe tregut të përbashkët, e pranueshme për Brukselin, por jo për qeverinë e Theresa May.
Analistët thonë se BE-ja deri tani e mbante sekret hartimin e planeve të emergjencës për “Brexit”-in pa marrëveshje, për të mos shtuar pasigurinë, por fakti që tani e pranon hapur, mbase është një mesazh i tërthortë për të gjithë që të përgatiten për skenarin më të keq.
Top Channel