Ka nisur dita e dytë e takimit të Kretës, ku ministrat Ditmir Bushati dhe Nikos Kotzias, së bashku me stafet e tyre, janë duke diskutuar lidhur me të gjitha çështjet e hapura mes dy vendeve.

Por pas një dite të parë, negociatat e së cilës kanë zgjatur mbi 14 orë, duket se mëngjesi i së shtunës, ka nisur me i relaksuar, ku siç shihet edhe nga fotot e siguruara nga Top Channel, dy ministrat dhe stafet e tyre, konsumuan së bashku kafen e mëngjesit.

Por Top Channel ka mësuar se më pas negociatat kanë nisur intensivisht dhe Ligji i Luftës është çështja që është duke u diskutuar nga palët. Dokumente të rëndësishme janë paraqitur në tryezë nga të dyja palët. Ndërsa mësohet se ka pasur avancime të dukshme edhe për çështjen e detit.

Edhe pse ishte parashikuar që takimi të përmbyllej sot, mësohet se për shkak të dinamikës së diskutimeve dhe gamës së madhe të temave, është vendosur që ai të shtyhet të paktën deri të dielën.

Dje, bisedimet kanë vijuar për më shumë se 14 orë, ku në tryezë janë hapur të gjitha kartat lidhur me çështjen e kufirit detar.

Pala greke nga ane e saj, ka paraqitur hartat e tyre, por me të njëjtën monedhë i është përgjigjur dhe pala shqiptare, e cila ka vënë në tryeze dokumente voluminozë lidhur me kufirin detar.

Asnjë prej delegacioneve nuk ka bërë publike qëndrimet e tyre apo pikat të cilat janë më afër zgjidhjes. Por duket se disa çështje janë thuajse të mbyllura si tekstet shkollore apo vula apostile. Ndërsa përballja më e madhe mbetet për çështjet e Luftës së Dyte Botërore, përfshi këtu Ligjin e Luftës dhe Varrezat e ushtarëve grekë.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel