Shkëlqim Miri do të dalë të dielën para kolegëve të Krimeve të Rënda për t’iu caktuar masa e sigurisë.

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka depozituar kërkesën për masën e arrestit me burg për gjyqtarin e Apelit Tiranë, në shtëpinë e të cilit u sekuestruan 174 mijë euro, 10 mln lekë dhe 1 mijë dollarë.

Por krahas gjyqtarit, Prokuroria ka urdhëruar ndalimin e 2 personave të tjerë të cilët dyshohet të kenë patur rolin e ‘sekserit’ dhe ndërmjetësit në skemën e klasifikimit të veprës penale nga “Vrasje me dashje” në “Plagosje e rëndë ” për Gentian Dodën i liruar pak kohë më parë pas ekstradimit në Amerika.

“Sekserët ” e ndaluar të cilët dyshohet të kenë realizuar edhe ” pazarin ” prej 20 mijë eurosh, janë Kujtim Miri i afërm i gjyqtarit dhe Alban Buci. Ata kanë qenë pjesë e hetimit të nisur që në janar të 2017-ës. Gjyqtari Miri akuzohet për veprat penale të ” korrupsionit aktiv dhe pasiv të gjyqtarit, prokurorit dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë “.

Ai u ndalua në kuadër të operacionit të koduar ” një vrasje e dytë “. Gjyqtari me një karrierë 25 vjeçare në sistemin e drejtësisë, rrezikon një dënim nga 5 deri në 12 vite burgim nëse shpallet fajtor mbi akuzat e ngritura nga prokuroria ndërkohë që pritet edhe mbledhja e këshillit të lartë të drejtësisë për pezullimin e tij nga detyra.

Top Channel