Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka publikuar ditën e sotme në “Facebook” denoncimin që është bërë tek ai nga një qytetar, sipas të cilit forca të Gardës së Republikës, kanë boshatisur tërësisht zyrat e ish-ministrit Tahiri.

Sipas denoncimit të publikuar nga Basha, drejtues të policisë kanë ndihmuar në zhdukjen e provave që i implikojnë ata në trafikun e drogës.

Postimi i plotë

“RAMA-TAHIRI-XHAFA NË ETHE PËR TË ZHDUKUR PROVAT DHE FSHEHUR GJURMËT E KRIMIT
“Zoti kryetar, një ditë pasi ju publikuat në FB denoncimin tim për praninë me orë të tëra të Saimir Tahirit dhe zonjës së tij në dy zyrat që Tahiri administron te Garda, kanë ndodhur dy ngjarje:
Të mërkurën me 8 nëntor në ora 12 në mesditë, ka mbërritur një grup drejtuesish të policisë dhe të gardës të cilët kanë kontrolluar zyrat.
Të nesërmen, ditën e enjte 9 nëntor, nga ora 9 deri në orën 12 zyrat janë boshatisur tërësisht nga bashkëpunëtorë të Saimir Tahirit të ndihmuar nga punonjës të policisë dhe të Gardës. Tre automjete janë ngarkuar me kuti të mëdha të mbushura plot: një furgon i bardhë me targë MB 403 AA, një kamionçinë ushtarake me targë MB 019 AA, dhe një Golf 5 ngjyrë vishnje me targë AA 258 KS.
Pasi i boshatisën zyrat, i pastruan dhe ndryshuan dhe emërtimin në dyert e dy zyrave dhe u larguan.
E gjitha kjo ndodhi vetëm një ditë pasi ju publikuat denoncimin tim për ardhjen dhe qëndrimin disa orësh të Tahirit dhe të zonjës së tij në dy zyrat që Tahiri administron te Garda.”

Top Channel