Në përfundim të mbledhjes së qeverisë në Dibër, kryeministri Edi Rama ka komunikuar për mediat vendimet e saj, mes të cilave spikat ai për nxitjen e turizmit.

“Vendimi më i rëndësishëm është ai për nxitjen e turizmit, që synon që përveç turizmit të masës të kemi dhe një infrastrukturë me 4 dhe 5 yje, për të nisur me projektet e para”, ka thënë Rama.

Një tjetër njoftim i rëndësishëm i kreut të qeverisë ka qenë prezantimi i projektit të rrugës së Arbrit, i cili do të bëhet të shtunën.

“Nesër do të bëjmë prezantimin e projektit përfundimtar të rrugës së Arbrit, tanimë që është përzgjedhur kompania dhe Ministria e Infrastrukturës është në negociata për firmosjen përfundimtare të kontratës, duke garantuar financimin dhe nisjen e punimeve. Ndërkohë, për pjesën matan kufirit kemi filluar të diskutojmë me qeverinë maqedonase”, ka thënë më tej Rama.

Kryeministri ka shtuar se gjatë qëndrimit në Dibër, për dy ditë, anëtarët e kabinetit të tij përveç angazhimit në prezantimin e projektit për rrugën do të zbresin në terren për takime me komunitetet, për të diskutuar për bujqësinë dhe buxhetin e vitit 2018.

Top Channel