NBA, Houston gjunjëzon nënkampionat e Cleveland

10/11/2017 11:53

NBA është një kampionat që dhuron gjithnjë spektakël. Kjo u pa edhe në superndeshjen e zhvilluar në “Toyota Center”, mes Houston Rockets dhe Cleveland Cavaliers, me skuadrën teksane që iu imponua përballë publikut të saj nënkampionëve të NBA-së, me rezultatin 117-113.

James Harden ishte ylli që shkëlqeu për “Rockets”, duke e mbyllur sfidën me 35 pikë, 13 asiste dhe 11 topa në tabelë, duke e fituar përballjen e tij personale me “Mbretin” LeBron James. Ky i fundit regjistroi një bilanc me 33 pikë dhe 7 asiste, por që nuk i mjaftuan skuadrës nga Ohio të evitonte këtë humbje, e cila ka bërë që të bien edhe më fort sirenat e alarmit.

Nuk është më mirë Oklahoma, që bie edhe në Denver ndaj “Nuggets”-ave, duke u mundur 94-102 për ta çuar në 4 numrin e humbjeve radhazi.

Vendimtare në këtë ndeshje u bë perioda e katërt, të cilën Denver e fitoi 27-19, falë kontributit të shkëlqyer të Mudiay, shënuesi më i mirë i kësaj sfide për “Nuggets”-at me 21 pikë të shënuara, një statitikë e regjistruar kjo duke marrë parasysh faktin se ai e nisi atë nga stoli.

Në krahun tjetër, Russell Westbrook dhe lojtarët e tjerë të Oklahomës u panë në vështirësi të mëdha në këtë ndeshje, duke treguar se ende nuk po gjejnë ekuilibrin e duhur.

Në ndeshjet e tjera, Sacramento ndërpreu serinë e fitoreve të Philadelphias, duke e mundur 109-108, për të regjistruar suksesin e dytë radhazi; Washington fitoi me LA Lakers 111-95, ndërsa Toronto mposhti New Orleans 122-118.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA