Gjatë qëndrimit në Tirane për Ditët e Medias, Komisioneri për Zgjerimin Johannes Hahn u takua të enjten në mbrëmje me kryetarin e Partisë Demorkatike, Lulzim Basha.

Top Channel konfirmon se ata qëndruan së bashku rreth dy orë në një takim pa praninë e anëtarëve të delegacioneve përkatëse, të cilët ishin pjesë e bisedës vetëm në minutat e para.

Në njoftimin e shpërndarë nga zyra e shtypit, thuhet se Basha ka rikonfirmuar vendosmërinë e Partisë Demokratike në luftën kundër krimit të organizuar me lidhje qeveritare si e vetmja rrugë për të ecur përpara me integrimin europian të vendit.

“Në bashkëbisedimin e gjatë mes tyre nje vend të rëndësishëm zuri situata aktuale politike pas publikimit të provave për përfshirjen në trafik ndërkombëtar narkotikësh të bashkëpunëtorëve të afërt të Kryeministrit Rama, përfshirë ish – Ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri”, vijohet më tej.

Sipas zyrës së shtypit të PD-së, Basha ka akuzuar qeverinë Rama se po pastron paratë e pista dhe inkriminon segmente të tëra të ekonomisë, përfshirë ndërtimin dhe sektorin bankar.

“Basha dhe Hahn ndanë të njëjtin mendim se integrimi europian i Shqipërisë duhet të jetë i bazuar në meritë dhe se vendi ka nevojë për prova të forta të zbatimit të paanshëm të reformës në drejtësi, si dhe për rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, që në Shqipëri të mos ketë më “të paprekshëm”, mbyllet njoftimi i shpërndarë nga PD.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA