Përplasja e kryeministrit Rama me mediat ka qenë në fokus të takimit të sotëm të emisionit “Top Story” në Top Channel. Gazetari Sokol Balla ka moderuar një panel të përbërë nga kolegë nga mediat e tjera, Çim Peka, Carlo Bollino, Ilir Babaramo dhe Eni Vasili.

Duke komentuar konferencën e sotme për mediat në Tiranë, gazetari Peka është shprehur se mesazhet e komisionerit Hahn dhe kryeministrit Rama ishin të njëjta. Për Pekën, problemi i vërtetë qëndron tek kapja e mediave nga politika dhe jo tek “fake news”, siç pretendon kryeministri. “Të shohësh problemin tek “fake news” dhe jo tek kapja e mediave, është t’i shërbesh Edi Ramës. Në Shqipëri “fake neës” ka qenë gjithë kohës, sepse mediat kanë bërë lajme për qeverinë. Por kurrë më parë historia shqiptare nuk ka patur një qeveri pa media opozitare”, ka vijuar Peka.

Ndërsa Bollino ka nënvizuar se “fake news” është një fenomen i përhapur në gjithë botën, por gazetari që shkruan lajmin ka sipas tij përgjegjësi. “Kudo gazetari ka një përgjegjësi për lajmin që transmetohet. Nëse një lajm është falso, në Itali gazetari largohet nga profesioni”, ka thënë Bollino.

Për Ilir Babaramon, reagimet ofenduese të kryeministrit kundrejt mediave vijnë si pasojë e pozitës së tij të dobët. “Kryeministri tha se një brez gazetarësh duhet të largohen. Kam përshtypjen se ai e ka problemin me atë që e quan “katundi mediatik”. Në një pozitë vulnerabël ai ndihet në një pozitë inferioriteti, sepse para nesh i kujtohen momentet e tij të dobësisë”, ka thënë Babaramo. Por problemi sipas tij janë botuesit dhe sipërmarrësit, një lidhje që sipas tij ka lindur që në vitin 2000, kur Rama u bë kryetar bashkie. “Kemi një valë ndërtuesish që u futën në tregun mediatik. Njerëz që s’kishin lexuar një libër në jetën e tyre. Shoqata e botuesve u kthye në shoqatë ndërtuesish. Në këto rrethana kryeministri nuk ka përse ta kërkojë tek gazetarët situatën ku ndodhemi”, ka thënë Babaramo.

Ndërsa për Sokol Ballën, nuk janë pronarët problemi i mediave. “Në Shqipëri të bësh një media në këtë situatë politike duhet të jesh i çmendur. Ata që na shohin mendojnë se problemi janë mediat. Personalisht nuk mendoj kështu. Problemi teorikisht është qeveria, politika”, ka thënë Balla.

Edhe për Eni Vasilin, problemi i vërtetë në këtë aspekt është politikëbërja dhe jo “fake news”, ndonëse qarkullimi i tyre në media është i madh. “E pakuptueshme është përse kjo gjë shqetëson më shumë politikën sesa median. Kryeministri thotë se ka gazetarë të pasur, por kush i bëri të pasur? Nëse kryeministri mendon se ka gazetarë të korruptuar, atëherë korruptuesi është politika. Kryeministri të dalë, të thotë këtij i kam dhënë këtë tender dhe le të bëhet transparencë. Këtu qëndron problemi mes politikës dhe medias”, ka thënë Vasili.

Në debat është folur edhe për marrëdhëniet e qeverisë së mëparshme demokrate me mediat dhe sidomos për qëndrimin e ish-kryeministrit Berisha ndaj tyre.

Peka: Sot kemi një kapje të medias. Ndryshe nga sot, Berisha ishte i paaftë për t’i kapur dhe kishte qasje konfliktuale ndaj tyre.

Bollino: Berisha i digjte mediat, s’kishte nevojë t’i kapte. Berisha bëri blerjen e News24, që transmetoi i pari videon e 21 janarit. Televizioni u shit para zgjedhjeve vendore. News24 kishte një qëndrim kritik ndaj qeverisë. Sapo ndryshoi pronari, televizioni u rreshtua krah Lulzim Bashës.

Babaramo: Nëse Berisha i parë dogji një redaksi, më i rëndësishëm është Berisha i dytë. Këtu kemi qenë kur një televizion në mënyrë flagrante ka marrë dhjetëra milionë euro gjobë. News24 pastaj u ble edhe me paratë e naftës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA