Të godasësh dike fizikisht, ta ndjekësh në rrugë me thikë në dorë dhe t’i shkatërrosh dyqanin mund të shpëtosh edhe me vetëm 4 muaj burgim.

Kështu i ka ndodhur një të riu në Tiranë, i cili i pakënaqur nga një celular që kishte blerë në një dyqan që tregtonte pajisje elektronike të përdorura, ka nisur fillimisht t’i shkatërrojë vitrinat dhe mallrat në dyqan.

Më pas situata është rënduar, kur agresori e ka goditur fizikisht pronarin e dyqanit. Ky i fundit i frikësuar ka dalë në rrugë, por agresori ka vijuar ndjekjen duke marrë një thikë në një dyqan fruta perimesh aty pranë, por fatmirësisht nuk arriti dot ta kapë deri në ndërhyrjen e policisë.

Gjithë kjo ngjarje e dokumentuar në gjykatë, përfundoi vetëm me një dënim për shkatërrim prone. Pasi për akuzat e kanosjes dhe plagosjes së lehtë i dëmtuari, sipas referimit në gjykatë kishte hequr dore, dhe ndryshimet e reja në kodin e procedurës penale e parashikojnë këtë manovër juridike.

Me sa duket pas një marrëveshje mes palëve që të paguhet vlera e dëmit të shkaktuar e përllogaritur në rreth 1 milionë lekë të reja, procesi përfundoi vetëm me një dënim me 4 muaj burgim për shkatërrim prone, duke zhdukur dy akzuat e tjera që kanë të bëjnë me cënimin e jetës dhe shëndetit të personit.

Top Channel