Vetëm 3 ditë pas zgjedhjeve lokale të së dielës, skandali pllakos gjeografinë e re politike të Siçilisë. Një prej 70 deputetëve të porsazgjedhur të Asamblesë rajonale ka përfunduar në arrest shtëpie për evazion fiskal.
Pronari i disa kompanive ndërtimi në Fiumedinisi, vendi ku kishte qenë kryetar bashkie e ku ishte arrestuar 3 vite më parë për marrëveshje të dyshimta, Cateno De Luca akuzohet këtë herë për fatura të falsifikuara, të prodhuara nëpërmjet parimit të “kutive kineze”, apo teknikës së matrioshkave, me qëllim shmangien e taksave.
Dëmi llogaritet në një milion e 750 mijë euro. E njëjta masë ndëshkimore është marrë edhe ndaj bashkëpunëtorit të tij, Carmelo Satta. Hetimet identifikuan një rrjet kompleks kompanish, që i përkisnin Federatës Kombëtare Autonome të Sipërmarrësve të vegjël dhe Shoqërisë “Caf Fenapi”, të lidhura drejtpërdrejt apo indirekt me De Lucan dhe Sattën, e që kishin përdorur në rrjedhën e kohës një sistem të sofistikuar faturash false, i cili ndihmonte evazionin e taksave direkte ose jo.
Skema evazive parashikonte atribuimin e kostove joekzistuese nga ana e Federatës Kombëtare në avantazhin e “Caf Fenapi”, të identifikuar sipas disa medieve italiane si qendra e interesave ekonomike të asocacionit kriminal.
Mashtrimi zhvillohej mbi transferimin e materialeve të disponueshme nga “Caf” te Federata Kombëtare në bazë të regjimit të favorshëm të taksave të aplikuar mbi këtë të fundit, gjë që rezultoi në kursime të ndjeshme nga tatimi.
Prokuroria ka kërkuar 5 vite burg për deputetin e “UDC, Sicilia Vera”, mbështetes i Nello Musumecit të përkrahur nga Silvio Berlusconi, që sapo u zgjodh president i rajonit të Siçilisë. Vendimi i gjykatës pritet të jepet në janar.
Top Channel