Gjykata e Krimeve të Rënda ndryshoi masën nga 20 ditë burg në arrest me burg për Nezar Seitin, i prangosur për llogari të hetimeve italo-shqiptare ndaj një grupi që trafikonte kanabis.
Gjatë këtyre ditëve i riu përmes avokatit të tij synoi të ekstradohej në Itali, pasi pretendon pafajësinë. Por, pasi u realizua përkthimi i dosjes, prokurorët rikonfirmuan edhe njëherë në gjykatë qëndrimin e tyre, me pretendimin se Seiti shfaqet në përgjimet e italianëve duke biseduar me shtetasin Moisi Habilaj.
Përgjimet ambientale janë zhvilluar pas 2014-s në disa automjete me të cilat të dyshuarit udhëtonin në jug të Italisë.
Në një episod ata flasin me trafikantin Antonio Riela, prej të cilit marrin 200 mijë euro që do t’i paguheshin avokatit të Florian Habilajt, i arrestuar në Itali në atë kohë po për çështje droge.
Siç përshkruajnë italianët në dosjen e përkthyer në Shqipëri, Moisi Habilaj dyshohet si kreu i një grupi, emri i të cilit shfaqet në përgjime pesë vjet më parë.
Habilaj del në përgjime në një pjesë të grupit të goditur në 2012 gjatë aksionit “Odesa”, tha prokurori, ndërkohë që deri në 2014 në Siçili dhe Katania italianët kanë drejtuar dhe katër aksione të tjera antidrogë, duke sekuestruar sasi të ndryshme hashashi.
Duke parë goditjet e herëpashershme grupi dyshonte për ndjekjen e përgjimin nga italianët, madje në një rast ata kanë kontrolluar njërin nga automjetet, por nuk kanë zbuluar asgjë.
Top Channel