Mbi 250 përfaqësues të medieve dhe organizatave mediatike, aksionerë e politikbërës nga Ballkani Perëndimor dhe BE-ja do të takohen në Konferencen e Medias në Tiranë, më 9 dhe 10 nëntor, kushtuar rolit të rëndësishëm të shtypit në procesin e pranimit në bllokun europian.
Dy panele dhe 6 “ëorkshop”-e do t’u sigurojnë pjesëmarrësve mundësinë e shkëmbimit të pikëpamjeve dhe përvojes së tyre, si dhe të punuarit së bashku mbi nismat e ardhshme për media të pavarura, të qëndrueshme dhe profesionale në rajon.
Komisioneri i Zgjerimit pati një mesazh për të përcjellë përpara konferencës.
“Liria e shprehjes është një vlerë themelore e BE-së dhe si e tillë përbën një gur themeli në procesin e zgjerimit, me një shtyp të fortë dhe të pavarur si shtysën e transformimit demokratik. Ajo është shtyllë e shoqërive të hapura e të zhvilluara kudo qofshin”, tha Hahn.
Nisja e “Ditëve të Medias, BE-Ballkani Perëndimor” synon t’i japë një impuls të ri forcimit të lirisë së shtypit dhe krijimit të një peizazhi mediatik më të gjallë, më të larmishëm dhe më të shëndetshëm ekonomikisht në rajon, shtoi zyrtari i lartë europian.
Liria e shtypit përbën njërin prej kritereve politike të pranimit në radhët e Bashkimit Europian e konsiderohet një domosdoshmëri për vendet që dëshirojnë të bëhen pjesë e unionit.
Përpjekja e kandidatëve dhe aspirantëve për të përmbushur kushtet e nevojshme të lirisë së medias bëhet në sfondin e një transformimi të shpejtë të panoramës së saj dhe ndryshimeve të qenësishme të modeleve të konsumit mediatik.
Ndërsa çelen mundësi të reja për ndarjen e informacionit, ambienti në ndryshim i sektorit mediatik sjell rreziqe, që përfshijnë edhe rënien e standardeve profesionale. “Ditët e Medias së BE-së dhe Ballkanit Perëndimor” propozon të zgjerojë spektrin e çështjeve të lidhura me to, duke mbuluar edhe qëndrueshmërinë ekonomike të këtij sektori në funksion të përpjekjeve për forcimin e tij.
Top Channel