Filmat ballkanikë në garë për “Oscar” europian

08/11/2017 10:03

4 prodhime ballkanike janë përzgjedhur në 4 kategori të ndryshme për çmimet prestigjoze “European Film Awards”, të konsideruara si “Oscar” europian.

“Mbreti i belgëve”, një bashkëprodhim mes Holandës dhe Bullgarisë, garon në kategorinë e komedive europiane, ndërsa drama bullgaro-daneze-franceze “I pafe” është zgjedhur si një prej 5 filmave që do të prezantohen në kategorinë “European Discovery”. Dy të tjerët, “Postieri i mirë” i regjisorit bullgaro-finlandez Tonislav Hristov dhe “Shkruar/paskruar” nga rumuni Adrian Silisteanu, kandidojnë respektivisht në kategorinë e dokumentarëve dhe filmave të shkurtër.

Nominimet u shpallën në Festivalin Europian të Seviljes dhe do të votohen nga 3 mijë pjesëtarët e Akademisë Europiane të Filmit, përpara ceremonisë së çmimeve në 9 dhjetor, në Berlin. Mes hyrjeve të tjera interesante përfshihet drama romantike hungareze “Mbi trupin dhe shpirtin”, e regjisorit Ildiko Enyedi.

Por, cilat janë historitë ballkanike që u përfshinë mes filmave më të mirë europianë sipas akademisë? “Mbreti i belgëve” flet për një monark të fjetur, i cili udhëton nga Ballkani në Stamboll dhe zgjohet nga lajmi se vendi i tij është copëtuar. Ai duhet të kthehet në shtëpi për të mbrojtur mbretërinë, por një stuhi diellore ndërpret të gjitha fluturimet e komunikimet. Ai arrin të arratiset përtej kufirit turk me ndihmën e një producenti britanik dhe një trupe këngëtarësh bullgarë, duke nisur një odise në Ballkan. Filmi është përshkruar nga “Variety” si një satirë e butë, me tematika të fshehura.

Drama “I pafe”, e regjisores bullgare Ralitza Petrova, është vlerësuar me një sërë çmimesh dhe tregon historinë e një infermiereje që kujdeset për të moshuarit me demencë.

Një familje rome e cila zbulon se vajza e tyre minorene është shtatzeënë është në qendër të filmit rumun “Shkruar pa shkruar”.

Ndërsa “Postieri i mirë” tregon historinë e një fshati në kufirin bullgar me Turqinë, i njohur gjerësisht si “Porta e madhe” për emigrantët drejt Europës. Filmi ka korrur sukses në të gjithë botën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA