Zbarkimi amerikan ka nisur. Uashingtoni nuk ndalet vetëm me reformën në drejtësi, por tashmë zbret në Tiranë me agjentë të FBI-së dhe duket se furtuna kundër lidhjeve të krimit me politikën nuk do të kursejë askënd.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të angazhohen kundër lidhjeve të krimit me politikanë, prokurorë, biznesmenë e gjyqtarë, por si po reagojnë autoritetet? Si po reagon Prokuroria, opozita dhe për më tepër, qeveria? Çfarë e pret Shqipërinë në 2018-n dhe kush duhet të gëzohet e frikësohet nga tsunami amerikan mbi drejtësinë, krimin dhe politikën?

Për të gjitha këto, por edhe për dosjan CEZ, është biseduar në takimin e kësaj të marte në emisionin “Top Story”, ku gazetari Sokol Balla ka moderuar një panel të përbërë nga Artan Hoxha, Fahri Balliu, Arjan Vasjari dhe Agron Gjekmarkaj.

Sokol Balla: Kush është peshku i madh që përmendi Donald Lu? Shprehja e tij “Nuk ka drekë falas” duket një paralajmërim për mazhorancën dhe opozitën se reforma në drejtësi nuk do të ngelë në letër. Balliu, përse ndodh heshtja e qeverisë në këto kushte?

Fahri Balliu: Sepse mazhoranca gaboi me përpjekjet për të mbrojtur ish-ministrin Tahiri. Ajo angazhoi të gjitha mundësitë e saj mediatike, partiake e parlamentare për ta mbrojtur me qëndrimin se është i pafajshëm. Një deputet tjetër e arrestuan brenda dite për akuza shumë më të lehta, rasti i Tom Doshit. Pra, kemi një mazhorancë me dy standarde. Rasti “Sota” pastaj është një precedent i rrezikshëm sepse nuk është askush që mund të justifikojë se ç’duan patentat e ish-ministrit në makinën e tij. Kjo është një botë krimi, ku secili ka një pozicion dhe këtë duhet të zbardhë prokuroria. E gjithë kjo e ka kapur në një “off side” qeverinë dhe nga pikëpamja e sjelljes juridike, heshtja e ish-ministrit të Brendshëm është normale. Por është edhe kurajoja e Ramës për të folur sikur s’ka ndodhur gjë, apo e Taulant Ballës dhe së fundmi e Ulsi Manjës. Këto janë anormale.

Sokol Balla: Hoxha, a ka një heshtje të qeverisë për çështjen “Tahiri”?

Artan Hoxha: Dua të theksoj se sot kemi një fashikull të vetëm që ka përfshirë Habilajt, Tahirin dhe Sotën. Mund të përfshihet edhe çështja e Elbasanit (kur një makinë goditi mjetet e policisë dhe u largua) dhe nëse kjo ndodh do të jetë një dosje serioze. Pastaj, mazhoranca ka qenë në dijeni të kanabisit, ministri Xhafaj ka thënë në këtë studio se shefa policie kanë mbyllur sytë. Nëse ne duam të zgjidhim çfarë ka ndodhur në 2016, por dhe në 2015, sepse pasojat e kanabisit do të vijojnë edhe nja 10 vjet, ndërkombëtarët nuk duhet të na ndahen. Ndërsa kryeministri duhet të ndajë mendjen se çfarë do të bëjë. Pati një ndryshim. Doli në fillim dhe e braktisi Tahirin, pas 48 orësh ndryshoi gjithçka. Do të shfaqen elementë të tjerë që do të plotësojnë mozaikun e asaj që do të zbulojmë në ditët në vazhdim. Sot ndoqa mesazhet e ambasadorit Lu dhe ministrit Xhafaj, por jam skeptik sepse nuk është aq e thjeshtë. Në Kolumbi lëvizën gjërat kur shkoi DEA dhe zbriti në terren duke koordinuar aksionet. Edhe këtu gjërat lëvizin vetëm kur agjentët italianë të vendosur këtu tregojnë se ku i kemi parcelat dhe të kërkuarit.

Sokol Balla: Po thoni që kemi një mosbesim të ndërkombëtarëve tek policia shqiptare?

Artan Hoxha: Ajo që mund të them unë është se ne nuk e hamë dot peshkun e madh sepse ai është më i madh se gjithë pellgu. Nëse unë nuk shoh agjentë të huaj në terren, atëherë peshqit e mëdhenj është shumë e vështirë të goditen. Ata mund të pësojnë vetëm ca dëme të vogla.

Sokol Balla: Vasjari, deklarata e së dielës e kryeministrit është sinjal se bashkëpunimi për reformën në drejtësi po pëson një çarje?

Arjan Vasjari: Reforma në drejtësi është procesi më serioz që ka nisur. Unë jam i bindur se ajo do të japë rezultate më shpejt nga sa mendojmë ne. Sa për ngjarjet e fundit dua të theksoj se, së pari pash se nuk mund të flasim më për një fenomen normal kriminal në Shqipëri. Shqipëria ka një mafie autoktone. Nuk po them etnike, por kemi një mafie autoktone këtu dhe ka studime që e provojnë këtë. Nuk besoj deklaratën e ambasadorit Lu se ka vetëm 20 familje mafioze, ka më shumë. Nuk duhet të mendojmë se strukturat policore janë të mjaftueshme për ta luftuar këtë simbiozë. Mafia shqiptare në 13 vjet është strukturuar dhe është kthyer në rrezik për sigurinë kombëtare. Vlerësoj deklaratën e ministrit Xhafaj, që ka folur qartë për një lidhje mes mafias dhe politikës.

Sokol Balla: Mjafton vetëm të flasë?

Arjan Vasjari: Jo, por është pozitive. Natyrisht nuk mund të presim që rezultatet kundër mafias të vijnë nesër. Nëse ne pranojmë se duhet të vijë FBI, GdF, apo gjërmanët dhe anglezët për të luftuar një fenomen që është i yni, atëherë duhet të pranojmë se shteti ka rënë. Se nuk përballon dot këtë fenomen, ose është i implikuar.

Sokol Balla: Nga gjendja që kemi sot krimi mund të hyjë në “stand by”, por nuk do të harrojë

Arjan Vasjari: Në momentin që do të kemi viktima nga shteti, atëherë do të ketë vërtet luftë kundër mafias. Paolo Borsellino thoshte: “shteti dhe mafia veprojnë në një territor, ose luftojnë, ose bashkëpunojnë”. Këtu tek ne luftë nuk ka patur.

Sokol Balla: Pra, ka pasur bashkëpunim?

Arjan Vasjari: Po.

Sokol Balla: Gjekmarkaj, çfarë mendimi keni?

Agron Gjekmarkaj: Fjalimin e ambasadorit e shoh si një mesazh për të ngritur moralin e një shoqërie të demoralizuar dhe është njëkohësisht një gjuhë të fortë ndaj qeverisë që i ka lënë vendit dy rrugë: drogën ose emigracionin. Me drogën merren peshqit e mëdhenj që kanë lidhje me politikën, me emigracionin merren të vegjlit që kanë ikur shumë. Çështja me ish-ministrin e Brendshëm që zbret sërish në Elbasan tregon se ka një grumbull gënjeshtrash që nuk rrinë më në një mekanizëm por kanë vënë në vështirësi qeverinë e Edi Ramës.

Sokol Balla: Hoxha, a mjafton vullneti i ministrit të Brendshëm në një situatë të tillë?

Artan Hoxha: Ai ka bërë disa dalje, ka dhënë mesazhe dhe ka bërë disa lëvizje konkrete me lëvizje në kupolën e Policisë së Shtetit. Do të kemi kohë për të parë nëse këto do të jenë vetëm fjalë, apo do kalohet në veprime. Ka një element të rëndësishëm në të gjitha këto. Drejtor i policisë vazhdon të jetë Haki Çako, i emëruar nga Saimir Tahiri. Në Elbasan vazhdon situata siç ka qenë dhe shteti tregoi se nuk reagon dot ndaj krimit pasi për ngjarjen (kur një automjet “Audi” goditi makinat e policisë dhe u largua) shkarkoi vetëm policët dhe nuk arrestoi askënd. Pastaj, nga fakti që patentat e Tahirit nuk u fshehën duket se diçka po lëviz.

Sokol Balla: Po fakti që ekzistenca e patentave u fsheh në njoftimin publik?

Artan Hoxha: Policia ka qenë në dilemë deri në mesnatë për këtë, por e rëndësishme është se prokuroria i ka marrë ato dokumenta nga policia. Pra, policia, ndryshe nga herë të tjera, këtë herë nuk ka patur kurajo t’i fshehë ato. Ndaj duket se diçka po lëviz. Problemi serioz është se grupet kriminale në Shqipëri janë bërë pjesë e jetës shoqërore, e fushatave elektorale, etj. Ambasadori amerikan tha edhe që drejtësia ka dështuar. Ndërkohë, dje patëm rastin e një ish-drejtori që u kap me 75 kg kokainë në Itali.

Sokol Balla: Mahmutaj, që nga hashashi kaloi tek kokaina dhe kjo ka bërë që të ndërhyjë Amerika. Po, Vasjari?

Arjan Vasjari: Unë po jap një shembull, lirimi sot i atij krimineli që ka vrarë policë është problemi i madh. Prandaj krimi nuk është vetëm problem i policisë, por edhe i drejtësisë.

Fahri Balliu: Problemi i policisë mund të gjejë zgjidhje. Por problemi është peshku i madh, që është Rama, sepse kemi patur 100 mijë hektarë kanabis. Gjithashtu, përgjegjës nuk është vetëm Rama, por edhe Vlahutin. Ajo vetëm që s’e mbolli kanabisin në ambasadë. U mbollën qindra mijëra hektarë dhe shotrhet pyetja kush ishin këta njerëz? A morën leje diku? Këtu problemi është: ky Edi Rama vetë e bëri këtë? Me kokën e tij, sepse donte të pinte kanabis? Si është puna?

Artan Hoxha: Nëse çështja e CEZ, aty është dosja e parë që kanë lënë gjurmë të gjithë, nuk kanë nga ia mbajnë. Por ka dhe një gjë tjetër që mua më bën skeptik te reagimi i Majkos dhe i Ballës. Qëllimi ishte se dosja u mbyll një muaj e gjysmë më parë, pse nuk reaguan atëherë. Nëse ka një çështje që duhet ti shkohet deri në fund është dosja e CEZ.

Arjan Vasjari: Dosja e CEZ nuk mbyllet dot. Në informacionet e mia ka shumë fakte dhe ajo do të rihapet. PS është një subjekt i paragjykuar dhe përmes një reagimi të qartë, duhet të bëjë një akt të madh. Të ftojë Prokurorinë t’i shkojë deri në themel kësaj çështje. Është një pazël që ngadalë po plotësohet. PS ka një mundësi të artë për të korrigjuar atë që bëri në seancën Parlamentare. T’i bëjë thirrje Prokurorisë t’i shkojë deri në fund kësaj çështje. PS është promotorja e reformës në drejtësi.

Fahri Balliu: Unë i ftoj kolegët ta ngrenë këtë çështje, sepse kemi shifra tronditëse, kemi fenomenin e pjesëmarrësve të kriminelëve në politikë. Kaq e zorshme qenka që Edi Rama të japë dorëheqjen dhe të vijë një burrë më i mirë. Edi Rama i përfshin të gjithë peshqit e mëdhenj dhe të vegjël. Nëse edhe për këtë që tha Lu, do të mbetet peshku në det dhe tigani në zjarr, nëse kjo nuk do të ndodhë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA