Prokuroria e Krimeve të Rënda bashkangjiti dosjen e Orest Sotës me çështjen Habilaj -Tahiri pak orë pas kërkesës së saj drejtuar Prokurorisë së Elbasanit.
Kjo do të thotë se brenda dhjetë ditëve pritet që prokurorët t’i drejtohen Gjykatës së Krimeve të Rënda me kërkesën për rivlerësim mase ndaj Sotës, për të cilin një gjykatë tjetër tashmë jokompetente ka vendosur arrest me burg.
Ndërkohë që Krimet e Rënda konfirmojnë në rrugë jozyrtare se ndaj 25-vjeçarit do të nisë gjithashtu edhe hetimi pasuror, i njëjti diskutim që po shqyrtohet prej tyre edhe për hetimin pasuror ndaj ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.
Gjatë kësaj të marte prokurorët e Krimeve të Rënda, thanë burimet, kanë pyetur administratoren e vendosur nga gjykata për riorganizimin e shoqërisë Kurum, kompani e cila u përmend nga Orest si destinacioni i 863 mijë eurove të gjetura në makinën e tij.
Por, ndërsa biznesmeni i ri ka thëne se do ta dorëzonte këtë shumë si garanci për blerje të 4 mijë tonëve hekur, administratorja, thanë burimet, është shprehur se shoqëria nuk kryen asnjë veprim mbi 150 mijë lekë të reja dhe se transaksionet kalojnë përmes bankës.
Të njëjtin version ka dhënë një ditë më parë edhe financieri i kompanisë. Prokurorët po verifikojnë të gjitha pasuritë e Orest Sotës pas informacioneve se familja e tij ka një apartament në të njëjtin pallat ku edhe jeton ish-ministri i Brendshëm.
Nuk dihet ende se ku duan të mbërrijnë prokurorët me këto veprime, por ajo që kërkojnë të zbardhin është dyshimi a kishte njohje me ish-ministrin e Brendshëm dhe përse ndodheshin dy patenta lundrimi, si dhe burimin e 860 mijë eurove në makinën e tij.
Top Channel