Është shuar në moshën 92-vjeçare mëngjesin e 6 nëntorit një nga shkrimtarët më të mëdhenj të letërsisë shqipe, Kasem Trebeshina.
Të martën u bë përcjellja e tij në banesën e fundit.
Letërsia shqipe humbi një figurë, e cila foli gjatë jo vetëm për letërsinë e tij.
Ditët e tij të fundit Trebeshina i kaloi mes harresës, punës krijuese dhe plot 11 veprave ende të pabotuara. Mosnjohja dhe mosbotimi e kishin shoqëruar gjithë jetën.
Që prej vitit 1953, ku botoi për herë të parë dramën historike “Kruja e çliruar”, u arrestua për herë të parë, e më pas jeta e tij shkoi burgjeve dhe internimit, apo trajtimit si i sëmurë mendor.
Autori i një sërë veprash si “Legjenda e asaj që iku”, “Qesari niset për luftë”, “Ëndrra dhe hije”, “Më përtej kohërave”, njihet si shkrimtari i një jete të trazuar.
Një sërë romanesh, si “Tregtari i skeleteve”, “Hijet e shekujve”, vëllime me poezi, apo një seri novelash, do t’i flasin letërsisë për një kohë të gjatë, por sidomos “Odin Mondvalsen”, vepra e botuar edhe në Gjermani e që u shoqërua me bujë të madhe, e plot 800 faqe studime rreth saj.
Krijuesi që u la i pambështetur nga politika, lindi më 8 gusht në 1926 në Berat. Ai ndërpreu mësimet në Normalen e Elbasanit për t’ju bashkuar luftës nacional-çlirimtare.
Filloi studimet në Leningrad, por nuk i përfundoi dhe kundërshrtimi i vazhdueshëm i brendshëm e shndërruan atë në një shkrimtar të harruar.
Marrëdhënia e tij me shkrimtarin Ismail Kadare vazhdonte të ishte e acaruar. Një bisedë ballafaquese publike e pritshme mes të dyve, nuk u bë kurrë.
Top Channel