“Forca e ligjit”, fundi i krimit. Xhafaj: Peshqit e mëdhenj s’kanë të ardhme

07/11/2017 14:43

“Forca e Ligjit” do të ketë në përbërje një task forcë qendrore që do të udhëzojë task forcat rajonale për goditjen e krimit.

Puna ka filluar me analizimin e tipologjisë së grupeve kriminale.

“Nga skanimi i grupeve kriminale na rezulton se 53 për qind merren me kultivim dhe trafikim narkotikësh, 11 për qind me trafiqe të paligjshme, 18 për qind me krime të rënda, si vrasje pengmarrje dhe 18 për qind me krim ekonomik”, thotë Idajet Faskaj, Drejtor i Departamentit Kundër Krimit të Organizuar në Policinë e Shtetit.

Synimi prioritar është goditja e burimeve financiare dhe një rol të rëndësishëm në këtë pikë merr njësia e analizës financiare, për të cilën do të ofrojë mbështetje Ministria e Financave.

“Krimi i organizuar nuk mundet dhe shumë shpejtë nuk do të ketë të ardhme në Shqipëri. Ne jemi të vendosur të bëjmë gjithçka të mundur të shkatërrojmë rrjetet kriminale, infrastrukturën e tyre, të shkatërrojmë fuqinë e tyre ekonomike”, deklaroi ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

Xhafaj iu përgjigj edhe akuzave politike.

“Ne jemi të gatshëm që në funksion të realizimit të kësaj sfide, të punojmë me këdo që luftën kundër krimit të organizuar nuk e sheh si çështje qëndrimesh dhe preferencash politike, as si çështje karrigeje për pushtet, por si çështje jetike, për të tashmen dhe për të ardhmen Europiane të vendit”, tha ai.

Operacioni “Forca e ligjit” do të asistohet në vëzhdimësi nga të paktën 5 ekspertë të huaj;

Ekspertët e huaj:

Mark Newhause – agjent special i FBI-së amerikane
Hubert Hoffman – ekspert i policisë kriminale gjermane

Dy ekspertë të Guardia di Finanzas italiane si dhe nga koordinatorja kundër krimit të organizuar në Ministrinë e Brendshme britanike, Sarah McAveety.

Top Channel