Ndërsa ngjarjet po shtohen çdo ditë, së bashku me akuzat publike dhe penale ndaj lidhjeve të dyshuara të krimit me politikën, duket se mazhoranca po humbet një shans të artë për të bërë e para një divorc total me botën e errët të krimit, që në fakt ka pasur bashkëpunim me të gjitha palët politike në vend.

Sipas analistëve, qëndrimi institucional nuk është mjaft, ai publik është i pamjaftueshëm dhe në ndonjë rast edhe kompromentues.

Arjan Vasjari: Është një rast shumë i mirë, rast i artë që PS duhet të reagojë. E them këtë duke pasur parasysh sistemin në të cilin funksionojmë, sepse po të ishim në një sistem normal fliste drejtësia dhe e mbyllte gojën politike. Mirpo, duke pasur parasysh reperkursionet politike që ka kazusi “Tahiri”, unë besoj që PS duhet të shprehet sepse nëse Saimir Tahiri është subjekti i gjykuar, PS është subjekti i paragjykuar në këtë histori. Qëndrimi i zotit Balla është qëndrim jo vetëm i papërligjur, por besoj që është kundërproduktiv dhe thelon edhe më tej një perceptim jopozitiv, dyshues që shoqëria ka ndaj PS dhe grupit parlamentar të saj në raport me zbardhjen deri në fund të çështjes Tahiri.

Skënder Minxhozi: Qeveria flet përmes institucioneve të saj. Në këtë rast është Ministria e Brendshme, që ka pasur dhe ka edhe një pjesë të meritës të kapjes dhe të sqarimit të këtij incidenti dhe kësaj rrethane. Sa i përket PS, besoj që partitë politike kanë pak të bëjnë me një proces që duhet ta zbardhë drejtësia.

Agron Gjekmarkaj: Qeveria është e kushtëzuar, mendoj unë, që të vazhdojë qëndrimin e nisur dy javë më parë, kur me forcën e kartonave, ku shprehu qëndrimin e vet politik duke mbrojtur Saimir Tahirin nga procedimi që kërkonte prokuroria. Në këtë rast është në vazhdën e kësaj logjike. Do të thoja që ngjarja që ndodhi në Elbasan nxjerr në pah çekuilibrin që ekziston mes gënjeshtrave të shumta që po përpiqen disa aktorë dhe faktorë për ta mbuluar skandalin “Tahiri” që të minimizojnë efektet politike.

Top Channel