Në Tiranë është zhvilluar takimi i 8-të i Bordit Drejtues në nivel ministror i Shkollës Rajonale të Administratës Publike (ReSPA). Takimi u kryesua nga zv.kryeministrja Senada Mesi.
Bashkëpunimi ndërmjet vendeve anëtare të ReSPA-s në fushën e Administratës Publike, është një mekanizëm i mirë për të lehtësuar shkëmbimin e përvojave të përbashkëta, të praktikës me BE-në dhe institucioneve të BE-së, është shprehur në fjalën e saj zv.kryeministrja Mesi.
Sipas saj, prezenca në këtë takim e përfaqësuesve të lartë nga Ballkani Perëndimor, tregon qartë vendosmërinë e secilit vend për të çuar përpara angazhimet e ndërmarra për një bashkëpunim sa më efikas në drejtim të forcimit të kapaciteteve për implementimin e Reformës së Administratës Publike, si dhe ndarjes së përvojave respektive, duke ecur kështu krah për krah njëri-tjetrit drejt integrimit në BE.
Gjatë këtij takimi të rëndësishëm, u prezantuan rekomandimet e ekspertëve lidhur me përmirësimin e kuadrit rregullator nëpërmjet pjesëmarrjes së publikut në këtë proces; metodologjia e kostimit të strategjive; si dhe procesi elektronik i rekrutimit në Shqipëri, si një ndër praktikat e suksesshme të identifikuara tashmë në rajon.
Në takim u prezantuan edhe objektivat e Shkollës Rajonale të Administratës Publike për periudhën kohore 2017-2020. Ndër to renditen përmirësimi i bashkëpunimit në fushën e administratës publike midis shteteve anëtare të saj; forcimi i kapaciteteve administrative në administratat publike të shteteve anëtare ashtu siç kërkohet nga procesi i integrimit evropian; si dhe zhvillimi i burimeve njerëzore në administratat publike të vendeve anëtare në përputhje me Parimet Evropiane të Administratës Publike.
Top Channel