Mijëra rumunë protestuan të dielën në Bukuresht dhe në qytete të tjera në mbarë vendin, kundër planeve të socialdemokratëve në pushtet për të rishikuar legjislacionin në drejtësi, që sipas kritikëve do të dobësojë përpjeket për të çrrënjosur korrupsionin.
Planet që u njoftuan fillimisht nga ministri i Drejtësisë në muajin gusht, e që aktualisht po diskutohen në Parlament, mund ta vënë sistemin e drejtësisë nën kontroll politik, në një prej shteteve më të korruptuara në Bashkimin Europian.
Rreth 12 mijë njerëz marshuan drejt godinës së Parlamentit në kryeqytet. “Demokracia është nën rrethim” dhe “Drejtësi, jo korrupsion” ishin disa prej sloganeve që thërrisnin manifestuesit me vuvuzela plastike.
“Po protestoj sepse jam lodhur duke parë mosndëshkimin e pjesëtarëve të Parlamentit kur shkelin ligjin”, tha një shtetas rumun.
“Më e keqja është se ne nuk kemi një alternativë reale. Po dëgjoj njerëz që kërkojnë zgjedhje të reja, por ne nuk kemi një alternativë më të mirë për të zgjedhur. Ky është problemi më i madh”, tha një shtetase rumune.
Socialdemokratët në pushtet kanë ndërmend ta miratojnë reformën në fund të këtij sesioni parlamentar. Mes pikave më të kontestuara është rishikimi i një njësie inspektimi gjyqësore, e cila mbikëqyr sjelljen e gjyqtarëve dhe mënyrën sesi emërohen kryeprokurorët.
Top Channel