Shqipëria do të duhet të presë deri në prill për progres-raportin e radhës të Komisionit Europian. Por kjo periudhë i shërben delegacionit të BE-së në Tiranë për të mbledhur informacione dhe shqetësime nga të gjitha grupet e interesit.
E në një takim me shoqërinë civile, ambasadorja e BE-së Romana Vlahutin artikuloi sërish kushtet që duhet të plotësojë Shqipëria, përfshirë edhe luftën kundër kanabisit.
“Raporti i vitit 2018 për Shqipërinë është shumë i rëndësishëm dhe mendoj që të gjithë e dini arsyen se pse do të jetë i rendesishëm. Vitin që shkoi Komisioni bëri rekomandime të kushtëzuara për çeljen e negociatave, me kusht që të ketë progres në fund të vitit 2017. Flitet konkretisht për hapat domethënës të reformës në drejtësi, përfshirë procesin e vettingut, por gjithashtu edhe progres konstant në luftën kundër kanabisit, kundër korrupsionit, reformën e administratës publike dhe mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut”, deklaroi Vlahutin.
Këto deklarata u bënë vetëm dy ditë përpara se komisioneri për Zgjerimin, Johanes Hahn të nisë vizitën e tij dyditore në vendin tonë, ku në axhendë janë të parashikuara takime me të gjithë faktorët politikë në Shqipëri, me shoqërinë civile, si dhe një ndalesë në qytetin e Vlorës ku do të vizitohet shëtitorja e Lungomares, e financuar nga Bashkimi Europian.
Top Channel