Ndihmë ushtarake nga SHBA. Lu: Shqipëria po rrit shpenzimet për mbrojtjen

06/11/2017 14:53

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë, Donald Lu, e ka cilësuar rritjen e buxhetit për Forcat e Armatosura si më të lartin të akorduar ndonjëherë për FA që nga hyrja në NATO.

Këtë deklaratë ai e bëri gjatë ceremonisë së dhurimit nga Departamenti i Mbrojtjes Amerikane të 12 mjeteve luftarake për forcat tokësore shqiptare.

“Që nga viti 2009, kur jeni futur në NATO, kjo është rritja më e madhe e bërë ndonjëherë në buxhetin për Forcat e Armatosura. Plot 8 miliardë lekë më shumë. Kjo është përparësi e qeverisë, opozitës, Presidentit dhe Parlamentit, ju lumtë”, deklaroi Lu.

Në të njëjtën linjë ka qenë edhe deklarata e ministres së Mbrojtjes shqiptare, e cila ka shprehur angazhimin e Shqipërisë në rritjen e kapaciteteve luftarake, veçanërisht në ato sektorë të ushtrisë që janë të lidhura me NATO-n.

“Qeveria dhe Ministria e Mbrojtjes janë të angazhuara për të rritur kapacitetet dhe modernizmin e Forcave të Armatosura, në mënyrë të veçantë të atyre sektorëve që janë të lidhur me NATO-n dhe që gjenerojnë më shumë siguri për ne dhe aleancën”, tha Xhaçka.

Top Channel