Reforma në drejtësi ka rënë u shpreh Monika Kryemadhi, kryetarja e LSI-së në deklaratën për shtyp pas mbledhjes së grupit parlamentar. Nuk do të lejojmë projektin e vërtetë të Rilindjes, tha ajo, për “një narkoshtet demokratik”.
“Nuk do të lejojmë realizimin e projektit të vërtetë të Rilindjes për një Shqipëri narkoshtet demokratik. Edi Rama nuk është zgjidhja e problemit, po vetëm burimi i këtij problemi dhe peng i krimit të organizuar. Ishte Edi Rama që futi në Parlament dhe zgjedhje bashkiake persona dhe individë me precedent penale, ishte ai që mbronte kriminalizimin e politikës shqiptare dhe luftonte dekriminalizmin e saj. Reforma në drejtësi tashmë ka rënë, të gjithë e pamë dhe e dëgjuam dje kryeministrin tonë që kërkon të bëjë policin, hetuesin, prokurorin e gjykatësin”, tha znj. Kryemadhi.
Vullneti politik i LSI-së është ai i qytetarëve që refuzojnë qeverinë e drogës, vijoj më tej kryetarja e LSI, duke thënë se rezoluta e Konventës së LSI është ajo që shqiptarët kanë kërkuar.
“Vullneti politik i LSI është vullneti i qindra anëtarëve të thjeshtë që refuzojnë qeverinë e drogës dhe të krimit, nga një kryeministër që telekomandën e ka në dorë krimi i organizuar. Nuk ka më tani asnjë kohë për të humbur, Rama po i hap përditë plagë të thella Shqipërisë dhe familjes shqiptare. Rezoluta e konventës së LSI është ajo që shqiptarët na kanë kërkuar. Kjo vetëdije politike po forcohet orë pas ore dhe ditë pas dite duke e kthyer në një vullnet popullor”, tha kryetarja e LSI.
Top Channel