Edicioni i 12-të i Festivalit të Dancit Modern në Shqipëri u mbyll me shfaqjen e koreografit francez Rachid Ouramdane.
Nën lojën e dritëhijeve të krijuara nga prozhektorët dy balerinat e shfaqjes “Tordre” sollën në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit lëvizje dhe ndjesi që i mbajtën të mbërthyer për afro dy orë artdashësit.
Lëvizjet e balerinës lituaneze dhe asaj britanike u endën mes të rrëfyerit, poetikës dhe intimes, në skenën ku dominoi kontrasti bardhezi. Lëvizjet shpesh marramendëse të njërës prej balerinave të kthejnë pas në kohë, në fëmijërinë e gjithësecilit, por kjo vjen si një thirrje e brendshme drejt lirisë së lëvizjes dhe të vepruarit në një stafetë, që balerinat këndshëm ia përcjellin njëra-tjetrës.
Këtë vit festivali u çel me premierën botërore të Angjelin Preljocajt në Tiranë për të vijuar me koreografi të tjera të kompanive europiane që u ngjitën në skenat e Tiranës, Prishtinës dhe Durrësit duke ofruar dhe seminare për koreografët e rinj shqiptarë.
Top Channel