Pas Juventusit dhe Lacios, dy skuadra që janë përballur me një çështje të ndjeshme për “biletat” e tifozëve, një gjë e tillë duket se nuk do të lërë pa prekur edhe Napolin. Një çështje që mund të kthehet në diçka të rrezikshme, jo penalisht, por që mund të konsiderohet shkelje e Kodit të Drejtësisë Sportive.
Pas Juventusit dhe Andrea Agnellit, me këtë të fundit të dënuar me një vit pezullim nga të gjitha aktivitetet sportive, si dhe pas Lacios, ku presidenti Claudio Lotito u përball me akuzat për dhënie biletash ndaj “ultrasve ekstremistë” që pushtuan stadiumin “Olimpico” me kore raciste, tashmë prokurori Giuseppe Pecoraro po mbyll hetimet e tij mbi Napolin dhe Aurelio De Laurentiis, me këtë të fundit që do ta marrë në pyetje mëngjesin e së martës në Romë.
Një hetim që duket “fotokopje” e rastit origjinal të Juventusit. Edhe këtu kemi të bëjmë me frekuentime dhe raporte të shpeshta me disa tifozë “specialë”, të cilët dyshohet se janë konsideruar “të privilegjuar” duke marrë bileta “falas”, e duke ngritur hijet shqetësuese të një “krimi të organizuar”.
E nëse në Torino kishim të bënim me “tifozë” të “Ndrangheta”-s, te Napoli kemi të bëjmë me tifozë të “Camorra”-s. Por ndryshimi i vetëm është se, nëse në Torino ishin të përfshirë vetëm drejtuesit, te Napoli duket se janë të përfshirë edhe futbollistët.
Ashtu siç ndodhi me fashikujt torinezë, prokurori federal ka shtënë në duar edhe aktet e një hetimi të “DIA”-s të koordinuar nga prokurori special Filippo Beatrice.
Në këtë rast të ri duket se ka foto, video, informacione të policisë gjyqësore dhe shumë përgjime, të cilat fusin në “valle” më shumë se një futboll të Napolit.
Në shënjestrën e Pecoraros janë vënë frekuentimet e shpeshta me eksponentë të tifozëve napolitanë, që janë subjekt i organizatave mafioze kriminale, siç janë raportet me vëllezërit Esposito, sipërmarrës në tregtinë e lojërave për fëmijë, të arrestuar verën e kaluar për riciklim dhe të qenit shumë pranë klanit “Sarno”. Të shumta janë fotot me futbollistë dhe ish-futbollistë të Napolit.
Prokurori Pecoraro dyshon se futbollistët, përtej dhuratave të marra dhe biletave falas të dhëna në shkëmbim mafiozëve, mund edhe të kenë marrëdhënie të tjera me vëllezërit Esposito.
Top Channel