Buxheti, SHISH kërkon më shumë parà

06/11/2017 13:49

Në pritje të dekretimit nga Presidenti Meta, Helidon Bendo, i propozuar nga Kryeministri Rama si kreu i ri i Shërbimit Informativ Shtetëror, pas dorëheqjes së Visho Ajazi Likës, nuk u paraqit në Komisionin e Sigurisë Kombëtare.

Detyrën për paraqitjen e buxhetit të shërbimit sekret për vitin 2018, zv/drejtori aktual i SHISH, i njohur edhe me emrin Johan Bendo, ia kishte deleguar një vartësi.

Porositë ishin të qarta, larg syrit të mediave.

“Gjatë leximit të raportit mund të dalin informacione të klasifikuara”, tha Ylvi Aga, Drejtor Ekonomik në SHISH.

Mbledhja vijoi me dyer të mbyllura, ndërsa zyrtarët e SHISH kërkuan 30 deri në 50 për qind më shumë se shifra prej 149 milionë lekësh që Qeveria ka parashikuar për këtë institucion.

Zyrtarët e shërbimit sekret kanë arsyetuar kërkesën e rritjes së fondeve me investimet që nevojiten në pjesën logjistike si pasojë e amortizimit ndër vite, por qeveria ka ofruar vetëm 5.2 për qind më shumë se buxheti i 2017-s.

Kërkesa e SHISH është mbështetur pothuajse nga të gjithë deputetët, ndërsa vendimi do të merret gjatë diskutimit nen për nen të buxhetit.

Top Channel