Lulzim Basha iu referua raporteve ndër vite të Guardia di Finanza për ta përdorur monitorimin nga ajri të italianëve për 20 për qind të territorit si një provë se Edi Rama ngriti narko-shtetin.

“Në vitin 2013, 300 parcela droge; në 2014, 800 parcela droge; në 2015, 1.400 parcela droge; dhe në 2016, 2.086 parcela droge”, deklaroi Basha.

Basha e pranoi se këtë vit kultivimi ka rënë, por arsyen e gjeti jo tek qeveria, por tek rënia e çmimit të kanabisit.

“Shkoni në Tepelenë, më lirë do të blini kanabisin se sa çajin e malit. 50 deri në 80 euro kilja e kanabisit. Sepse mijëra tonelata kanabis të prodhuara kryesisht në vitin 2016 presin të trafikohen drejt Europës. Trafikohen ditë për ditë, siç kapen ditë për ditë nga autoritetet italiane”, tha Basha.

Vendimi i opozitës për një qeveri antimafia mbetet jo vetëm i pandryshueshëm, por tani ai lidhet edhe me kushtëzimin e reformës zgjedhore.

“Reforma zgjedhore do të fillojë atëherë kur vendi të ketë një qeveri antimafia, e cila në vend që të përdorë kriminelët dhe paratë e drogës për të blerë vota, t’i çojë ata para drejtësisë dhe t’i lerë shqiptarët të vendosin të lirë me votën e tyre qeverisjen dhe qeverinë që dëshirojnë”, shtoi Basha.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA