Kopshtet dhe çerdhet e qytetit të Vlorës do të kenë ujë të ngrohtë përmes paneleve diellore. Ka qënë vetë ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Damian Gjiknuri i cili ka inspektuar implementimin e projektit të mbështetur nga PNUD.
Si pjesë e Nismës Globale të GEF/UNDP/UNEP për Transformimin e Tregut për Panelet Diellore për Ujë të Ngrohtë, programi i Shqipërisë synon të përshpejtojë zhvillimin e tregut për këto sisteme si mënyrë për të kursyer energjinë elektrike dhe burime të tjera energjitike të përdorura për prodhimin e ujit të ngrohtë dhe zbutur fenomenin e ndryshimeve klimatike.
Deri më tani është bërë e mundur të financohen dhe instalohen sistemet termike diellore për ujin e ngrohtë pranë më shumë se 55 institucioneve publike në Shkodër, Lezhë, Tiranë, Durrës, Rrogozhinë, Lushnje, Elbasan, Gramsh, Berat, Fier, Vlorë, Himarë dhe Sarandë.
Një prej tyre është edhe Kopshti Nr. 10 në Vlorë, në të cilin është instaluar një sistem termik diellor për plotësimin e nevojës për ujë të ngrohtë në mënyrë efiçente dhe pro-mjedisore.
“Është një program i qeverisë shqiptare bashkë me PNUD-in, për të adresuar nevojat për ujë të ngrohtë në objektet e karakterit social si kopshtet, çerdhet apo shtëpitë e të moshuarve. Ka shumë leverdisshmëri përdorimi i paneleve diellore për kursimin e energjisë. Instalimi i këtyre lloj paneleve në godinat publike nga Shkodra deri në Sarandë, krijon kushtet që të ulet me 70% nevoja për energji për ngrohje”, u shpreh ministri Gjiknuri.
Top Channel