Kryetari i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla në një takim të Ministrisë së Mbrojtjes në Librazhd iu përgjigj akuzave të opozitës për zhvillimet e fundit në vend.

Sipas Ballës, kjo është qeverisja konkrete me njerëzit e thjeshtë të këtij vendi, e cila tashmë është fakt dhe jo slogan fushate.

“Sot të gjithë ministrat e qeverisë tonë janë të gjithë në territor në çdo pjesë të Shqipërisë. Olta është prej mëngjesit në çdo bashki të qarkut, Ditmiri është në jug të Shqipërisë për t’u marrë dhe për të menaxhuar personalisht vetë një çështje të rëndësishme të bllokimit të shqiptarëve në kufirin me Greqinë, për shkak të problemeve të kalimit në kufi”, tha Balla.

Ura mbi lumin Shkumbin e ndërtuar nga Forcat e Armatosura lidh rreth 700 banorë të disa fshatrave të Librazhdit me pjesën tjetër. Ministrja Xhaçka kërkoi nga pushteti vendor identifikimin e problemeve përpara dimrit, në mënyrë që ndërhyrja të bëhet në kohë.

“Një skanim shumë i mirë i të gjitha zonave që më së shumti izolohen gjatë muajve të vështirë të dimrit. Është i nevojshëm, bëhet nga pushteti vendor që dhe FA të kenë mundësi t’i paraprijnë një punë dhe kontributi në zgjidhjen e problematikave që do të vijnë në muajin e vështirë të dimrit”, u shpreh ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka.

Nga ana e tij, kryetari i Bashkisë së Librazhdit kërkoi edhe më shumë vëmendjen e Ministrisë së Mbrotjes pasi bashkia që ai drejton karakterizohet nga një territor i thyer malor dhe zona të shumta, sidomos gjatë dimrit izolohen.

Top Channel