Java e 11 e Bundesligës gjermane ka dhuruar përplasje të forta, ndër të cilat spikasin fitorja e Leipzig me përmbysje ndaj Hannoverit dhe ajo e Hamburgut të Mërgim Mavrajt, 3-1 përballë Stuttgartit.
Nënkampionët e vjetshëm, Leipzig mposhtën 2-1 në “Red Bull Arena” ish-ekipin e Altin Lalës, Hannover, edhe pse ishin këta të fundit që kaluan fillimisht në avantazh me Jonathas. Poulsen dhe Werner ishin ata që shënuan golat për vendasit e drejtuar nga Hassenhuttl, që ngjiten tashmë në kuotën e 22 pikëve, në vendin e dytë, duke lënë përkohësisht Dortmundin pas.
Edhe Schalke 04 arriti një fitore të vuajtur, por me shumë vlera, 1-0 ndaj Freiburgut në transfertë, duke u ngjitur në vendin e katërt të klasifikimit, me pikë të barabarta me Dortmundin, që luan pak më vonë në klasiken e futbollit gjerman ndaj Bayern Munchen.
Ekipi i Mavrajt arrin fitoren e 3-të sezonale dhe del të paktën për një javë nga zona e rrezikut të rënies nga kategoria, teksa numëron 10 pikë në 11 javë. Në barazim 1-1 kanë përfunduar dy sfidat e tjera, Augsburg-Leverkusen dhe Munchengladbach-Mainz.
Top Channel