PD: Paratë janë të Tahirit. Patentat e eurot, provat që implikojnë ish-ministrin

04/11/2017 12:49

Partia Demokratike nuk ka asnjë dyshim se Orest Sota ka qenë duke transportuar paratë e Saimir Tahirit. Lulzim Basha, që bëri publike ngjarjen mbrëmjen e së premtes, tha se kishte informacion se Orest Sota, megjithëse e mohon njohjen me Tahirin, ka udhëtuar disa herë jashtë shtetit me ish-ministrin e Brendshëm.

Partia Demokratike iu referua dy të dhënave të tjera për të treguar se paratë nuk i përkisnin Orest Sotës, duke rrëzuar versionin e blerjes së hekurit.

“Kurum nuk pranon parà cash, e në veçanti jo për sasi të tilla, që do të blenin të paktën 70 kamionë të mëdhenj me hekur. Ndërkohë, kompania e 25-vjeçarit Sota dhe e babait të tij nuk i justifikojnë me dokumente këto parà”, tha Enkelejd Alibeaj.

Për Partinë Demokratike, edhe fshehja nga policia e të dhënave të ngjarjes me urdhër politik tregon pronarin e vërtetë të parave.

“Të gjitha rrethanat tregojnë se këto parà i përkasin të njëjtin person, që i përkasin edhe patentat e lundrimit. Janë të Saimir Tahirit. 863 mijë eurot dhe patentat e lundrimit janë pikërisht provat që kërkon drejtësia, që faktojnë impilikimin në trafik droge të Saimir Tahirit”, tha më tej Alibeaj.

Opozita këmbëngul se këto janë prova të mjaftueshme për të fajësuar Saimir Tahirin dhe i bëri thirrje Prokurorisë të veprojë sa më shpejt.

“Saimir Tahiri nuk do t’i shpëtojë drejtësisë”, tha Enkelejd Alibeaj.

Partia Demokratike ka një mesazh edhe për Edi Ramën, për të cilin thotë se ka një pakt për të mbrojtur Tahirin, në shkëmbim të heshtjes së tij.

“Edi Rama duhet të largohet e t’i hapë rrugë një qeverie antimafia që lufton krimin, godet të paprekshmit, dhe çmonton kupolën mafioze”, tha më tej përfaqësuesi i lartë i PD-së.

Ndërkohë, Lëvizja Socialiste për Integrim, që cilësoi fshehjen e ngjarjes si mafioze, i kërkoi ministrit të Brendshëm të tregojë me prova, nëse është me shqiptarët kundër krimit, apo me kryeministrin që hesht përballë klientëve të tij të krimit.

Por Policia e Shtetit reagoi duke shprehur keqardhjen, për ato që i quajti akuza politike.

“Pretendimet e opozitës janë spekulime politike dhe s’kanë asnjë lidhje me të vërtetën e punës së bërë nga Policia e Shtetit. Policia e Shtetit ka ndaluar në flagrancë autorin, ka mbajtur të plotë procesverbalin në vendngjarje dhe i ka përcjellë menjëherë Prokurorisë dosjen e plotë të rastit për arrestin në flagrancë”, thuhet në reagimin e policisë.

Top Channel