Nuk ikën kryetari i Mallakastrës, KQZ votoi kundër

03/11/2017 15:25

KQZ rrëzoi me një votim me dyer të mbyllura kërkesën e dy anëtarëve të saj, Denar Biba dhe Bledar Skënderaj për heqjen e mandatit kryetarit të bashkisë së Mallakastrës, Agron Kapllanaj.

Kjo pasi sipas tyre ai prekej nga ligji për dekriminalizimin pas një vendimi të formës së prerë të vitit 2004 nga një gjykatë italiane për veprën penale të vjedhjes. Anëtarët socialist në KQZ bashkë me përfaqësuesin e tyre ligjorë sulmuan prokurorinë, e cila pas hetimeve të thelluara në letrën dërguar KQZ theksonte se Kapllanajt i ka përfunduar periudha e rehabilitimit në 2016 dhe nuk prekej nga ligji I dekriminalizimit por edhe kreun e KQZ.

Sipas tyre, Klement Zguri ka tentuar të fshehë këtë ngjarje pasi prokuroria rezultatet e hetimeve i ka dorëzuar në datë 16 tetor 2016 dhe sipas ligjit, ato duhej të shqyrtoheshin brenda 10 ditësh. Pas kalimit të këtij afati, kompetencat për shqyrtimin e mandatit të Agron Kapllanaj i kalojnë Kuvendit, i cili përmes 1/5 së deputetëve i drejtohet më pas Gjykatës Kushtetuese, e cila më pas jep një vendim përfundimtar. Në krye të fjalës së tij, Klement Zguri akuzoi PS se ka tentuar t’i bëjë presion Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, 2 orë përpara mbledhjes së këtij institucioni. Vetë PS, përmes sekretarit të përgjithshëm Taulant Balla kërkoi heqjen e mandatit të Kapllanajt.

Në një njoftim për mediat të publikuar paraditen e sotme nga PS thuhej se Prokuroria dhe kryetari i KQZ, Klemend Zguri kanë shkelur ligjin. PS në njoftimin për shtyp thotë se Kapllanaj në formularin e tij të vetëdeklarimit rezultonte të ishte dënuar me 2 vjet heqje lirie dhe 200 euro gjobë për veprën penale të vjedhjes. Por Agron Kapllanaj do të vijojë detyrën e tij në krye të bashkisë së Mallakastrës.

Top Channel