Kërcënohet prokurori; familja e akuzon se liroi autorin e aksidentit të fëmijës 2-vjeçar

03/11/2017 19:34

Një 60-vjeçar nga fshati Kallm i Fierit po ndiqet penalisht në gjendje të lirë, sepse kanosi prokurorin Çlirim Sino.

Kërcënimi, sipas organit të akuzës është konsumuar në një letër ankese që Luftar Buzi i ka dërguar Prokurorisë së Fierit, ndërkohë që kjo prokurori ka shpallur moskompetencën dhe kërcënuesi do të hetohet nga Prokuroria e Lushnjes.

Prokurori i kërcënuar është personi që 5 vjet më parë, sipas familjes Buzi, liroi brenda pak orësh drejtuesin e mjetit që shtypi për vdekje djalin e tyre 2-vjeçar.

“Letrën ja kam dërguar në gjendje emocionale gjatë shkrimit, sepse kam vajtur 10 herë tek varri dhe shkrova një letër për të zgjidhur çështjen. Në letër mund të kem thënë ndonjë fjalë, që do vras veten, gruan apo prokurorin e çështjes. Kaq kam thënë”, deklaron Lufta Buzi.

Avokati i familjes Buzi nuk mohon faktin që klientët e tij të kenë përmendur në letër se do të vrasin prokurorin e çështjes, por kjo është thënë në moment emocional.

“Këta nuk e njohin fare prokurorin e çështjes. Duhet thënë që është një shkrim në gjendje emocionale, që kanë humbur njeriun e tyre të dashur. Nuk kanë gjetur drejtësinë dhe kanë menduar të shkruajnë letër. Natyrisht që kërcënimi përbën vepër penale”, thotë avokati Kujtim Cakrani.

Burime të Top Channel thanë se dosja për aksidentimin e fëmijës është pushuar për mungesë provash, sepse u fëmija u ka ikur prindërve duke i dalë para makinës në lëvizje.

Top Channel