Partia Socialiste kërkon zgjedhje të reja për bashkinë e Mallakastrës, pasi për të Agron Kapllanaj, kryetari aktual është i ndëshkueshëm sipas ligjit të Dekriminalizimit.

Sekretari i përgjithshëm i Partisë Socialiste, Taulant Balla në një reagim të tij thotë se KQZ do të marrë sot në shqyrtim vendimin e Prokurorisë së Përgjithshme për Kapllanaj, por prokuroria “ka mbyllur një sy” për kryebashkiakun, përfaqësues të Partisë Demokratike.

“Konstatojmë se në kundërshtim flagrant me ligjin, Prokuroria, ndonëse në vendimin e saj e pranon se subjekti deklarues Agron Kapllanaj përfshihet në fushën e veprimit të nenit 2, gërma c, të ligjit 138/2015 … pasi … me vendim të datës 07.04.2003, i cili ka marrë formë të prerë në datë 17.02.2004, z. Agron Kapllanaj është dënuar me 2 vjet heqje lirie dhe 200 euro gjobë për kryerjen e veprës penale të “Vjedhjes”, si përfundim vendos të mbyllë të dy sytë për këtë kryebashkiak përfaqësues të Partisë Demokratike, duke i falur atij qëndrimin në detyrë, me arsyetimin se “ndalimi 10-vjeçar i parashikuar nga ligji për dekriminalizimin në lidhje me këtë masë dënimi ka përfunduar tashmë prej 1 viti” (në 16.02.2016). Ndërsa vepron kështu, Prokuroria harron apo bën sikur harron se për shkak të natyrës dhe qëllimit të posaçëm të ligjit për dekriminalizimin, ligjvënësi vendosi që t’i japë atij fuqi prapavepruese, ndaj edhe koha prej nga kur duhet të fillojë përllogaritja nuk është dita kur Prokuroria përfundon verifikimin e saj, por koha kur subjekti që verifikohet ka marrë mandatin, pra këtu e dy vite më parë, në qershor 2015. Rrjedhimisht, mandati i Kapllanaj tashmë dukshëm rezulton të jetë në kushtet e pavlefshmërisë absolute, pasi është subjekt i ndëshkueshëm prej ligjit “për dekriminalizimin”, thuhet në reagim.

Balla thotë se edhe kryetari i KQZ-së, që është gjithashtu përfaqësues i opozitës, ndonëse e ka pasur informacionin që më 16 tetor, “me urdhër të Lulzim Bashës vendosi të mos respektojë detyrimin ligjor për ta përcjellë atë në mbledhje publike të institucionit brenda 10 ditëve, sikundër e detyron neni 10 i ligjit nr.138/2015 “për dekriminalizimin”.

“I bëjmë thirrje anëtarëve të këtij institucioni të bëjnë detyrën dhe të respektojnë ligjin. Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi të mos ushtrojnë presion mbi anëtarët e KQZ, sepse ky është ndikim i paligjshëm. Vendimmarrja e KQZ duhet t’i hapë rrugë zgjedhjeve të reja në Bashkinë Mallakastër”, përfundon reagimi.

Top Channel