Parlamenti diskuton buxhetin 2018, por një pjesë e mirë debatit u kalua tek temat e nxehta politike, që nga Himara dhe deri tek hashashi. Në fjalimet e saj, opozita po mundohet që të gjejë një lidhje mes të ardhurave në buxhet, ekonomisë dhe hashashit.

Por pse opozita lidh gjithë treguesit pozitivë të ekonomisë me kanabisin? Kësaj pyetjeje iu përgjigj në Top Story këtë të enjte, deputetja e PD-së, Jorida Tabaku.

“Banka e Shqipërisë ka ngritur një shqetësim shumë të madh i bazuar edhe nga të dhënat e INSTAT. Rritja ekonomike e presupozuar nga qeveria bazohet tek ndërtimi, por BSH thotë se kjo nuk është e shoqëruar me kredi në sektorin bankar. Pra nuk ka rritje të kreditimit dhe është një çudi se nga vijnë këto para që po përdoren në ndërtim”, deklaroi Tabaku.

Sipas deputetes demokrate, po manipulohen shifrat për gjendjen e ekonomisë.

“Në katër vite, qeveria nuk ka marrë më asnjë investitor të huaj. Borxhi nuk po ulet dhe në fund të 2016 ishte 73 për qind. Po manipulohen shifrat dhe të preken shifrat. FMN thotë që nëse vazhdohet me projektin 1 mld dollarë, do të kemi cenim të madh për të ardhmen e borxhit”, deklaroi deputetja demokrate.

Por, deputeti socialist, Ervin Bushati i quajti të rreme pretendimet e opozitës dhe se qeveria është vlerësuar nga partnerët ndërkombëtarë sa i takon ekonomisë.

“Ne kemi bërë detyrat tona dhe kemi marrë vlerësimet nga BB dhe FMN. Kemi një rritje ekonomike të konsoliduar dhe deficiti buxhetor ka qenë nën nivelin 2 për qind, pra edhe më poshtë se rritja ekonomike”, deklaroi ai.

Bushati vëren përmirësim të shprehur edhe tek raporti i KLSH-së.

“Në raport gjithçka është brenda normalitetit. Aty flitet për herë të parë që borxhi është nën kontroll dhe në trend ulës”, deklaroi deputeti socialist.

Top Channel