Falsifikonte produkte ushqimore, arrestohet për herë të dytë 48-vjeçari

02/11/2017 10:50

Pavarësisht se shtatë vite më parë ishte dënuar për të njëjtën akuzë, një 48-vjeçar nga Korça është arrestuar sërish për prodhim të kundraligjshëm të artikujve dhe mallrave industriale.

Sipas policisë, Kosta Fshati, pronari i një punishte në të cilën prodhonte, ambalazhonte me etiketa në gjuhën greke dhe shiste vaj ushqimor në mënyrë të paligjshme, një pjesë e sasisë së të cilit dyshohet të jetë mall kontrabandë, është vënë sërish në pranga.

“Arrestimi i tij u bë pasi nga informacione të siguruara në rrugë policore, falë veprimeve të mirëorganizuara, si edhe gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë, në punishten në pronësi të këtij shtetasi në lagjen nr 10 në Korçë, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e proves materiale :5 depozita metalike dhe plastike të përmasave të ndryshme, 1300 litra vaj ushqimor me mbishkrime greke i dyshuar si kontrabandë, 1500 etiketa në gjuhën greke me mbishkrime të ndryshme, 494 kuti metalike dhe plastike të kapaciteteve 0.25, 0.5, tre, pesë dhe dhjetë litroshe me mbishkrim në gjuhën greke “Extra virgin Olive Oil” dhe “Olive Oil”, 1180 shishe e bidona plastikë dhe metalikë, 0.5, tre, pesë dhe dhjetë litroshe me mbishkrime greke, si dhe 17 fuçi plastike bosh 60 litroshe”, thuhet në njoftimin zyrtar të policisë së Korçës.

Uniformat blu kanë dyshime se këtë punishte Fshati e përdorte për prodhimin dhe ambalazhimin e vajit ushqimor në mënyrë të paligjshme, duke përdorur etiketa në gjuhën greke me mbishkrime të ndryshme me qëllim shitjen e tij në tregun vendas. Një pjesë e sasisë së vajit të sekuestruar, dyshohet të jetë mall kontrabandë.

Ndaj 48-vjeçarit rëndojnë një sërë akuzash si “Prodhimi i kundërligjshëm i artikujve dhe mallrave industrialë dhe ushqimorë”, “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë”, “Shkelja e të drejtave të pronësisë industrial”, “Fshehja e të ardhurave”.

Top Channel