Frikë ndëshkimit nga UEFA, Partizani mbikëqyr “Varrmihësit”

01/11/2017 18:36

Koret sporadike dhe të izoluara të disa tifozëve shqiptarë në Elbasan Arena u gjykuan ofensive nga UEFA aq sa për të dënuar për racizëm klubin e Skënderbeut. Për të evituar diçka të tillë në fushën e tij në Beograd, Partizani i ka bërë apel tifozerisë së zhurmshme dhe famëkeqe që të përmbahet ndaj shqiptarëve.

E ngarkuar me dhjetëra penalitete nga e kaluara, tifozeria serbe dhe në veçanti grupimi “Grobari” mbeten në lupën e UEFA-s për shkelje të rregullave dhe sjelljen antisportive.

Mbyllja e një pjese të tribunës për arsye sigurie si dhe mos shitja e biletave pranë tunelit ku futbollistët hyjnë në stadium do ta reduktojë me të paktën 5 mijë vende pjesëmarrjen.

Para futjes në impiantin e Beogradit, tifozët do të kalojnë disa kontrolle për objektet metalike, çakmakë dhe monedha. Të gjitha këtyre u shtohen kamerat e instaluara para pak ditësh brenda dhe jashtë stadiumit, për të identifikuar në kohë rrezikun potencial.

“Nëse do të ketë kore ofenduese, kamerat do të zbulojnë menjëherë identitetin e shkelësve dhe tifozët brenda 5 minutash do të nxirren jashtë”, tha Milosh Vazur, drejtor i përgjithshëm i Partizanit të Beogradit.

Grupi i tifozëve “Grobari” që në serbisht nënkupton “Varrmihësit” janë ftuar që të shmangin incidentet, pasi nëse këto ndodhin me siguri do të bënin që UEFA ta dënonte përsëri klubin e “bardhezinjve”.

Partizani është dënuar me kusht nga UEFA dhe ripërsëritja sjell dënim automatik.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA