Chelsea “rrezikon” Championsin, Morata: Qiratë në Londër, të larta!

01/11/2017 22:15

Chelsea i drejtuar nga Antonio Conte ka lënë një shije të hidhur në Champions. “Blutë” e Londrës u dominuan tërësisht nga Roma e Eusebio Di Francescos dhe tashmë kualifikimi për në fazën me eliminim direkt vështirësohet disi për anglezët.

Rezultati nuk lejon asnjë replikë, 3-0 në favor të verdhekuqve romanë që lanë në hije superlojtarët e Chelseat, në ndeshjen e vlefshme për grupin C të Championsit. Por, goditja mund të kishte qenë edhe më e rëndë, nëse do të marrim parasysh rastet e pafundme të krijuara gjatë ndeshjes në “Olimpico”.

Një natë e zymtë për të gjithë të besuarit e Antonio Contes, ku nuk bën përjashtim as Alvaro Morata, ish-lojtar i Juventusit dhe Realit të Madridit, i cili shpërdoroi një rast të artë për gol kur doli tek për tek me portierin Alisson.

Hipotezat për një integrim jo ideal të Moratës në realitetin londinez kanë qenë në fokusin e tabloidëve britanikë.

Sipas “The Sun”, Morata po përpiqet të paktën publikisht ta hedhë poshtë këtë ide, duke këmbëngulur shpesh në faktin se ambientimi i tij në kryeqytetin anglez është i përkryer. Megjithatë, kritikat vijojnë…

“Jam shumë i lumtur në Londër, e mund të ankohem vetëm për trafikun e rënduar. Në të ardhmen do të ble një shtëpi, sepse momentalisht paguaj një qira shumë të lartë. Shpesh kur hyj në shtëpi flas anglisht me bashkëshorten time, edhe pse ajo më thotë se nuk e kupton çfarë i them”.

Edhe pse Morata fiton te Chelsea një shumë prej rreth 160 mijë stërlinash në javë, duket se qiraja për apartamentin e marrë në qendër të Londrës i duket sërish e lartë. Edhe për këtë nuk kanë munguar komentet ngacmuese, nga disa prej figurave simbol të futbollit anglez.

Njëri prej tyre, Gary Lineker. “Mendoj se ai nuk është ambientuar shpejt. Duket se shqetësohet shumë për koston e qirasë. Por, doja t’u thoja futbollistëve se, pavarësisht shifrave astronomike që fitojnë, mund t’u lejojnë vetes edhe marrjen e një apartamenti me kosto më të lirë”, tha ai gjatë një emisioni televiziv.

Edhe legjenda e “bluve”, mesfushori ikonë Frank Lampard ka diçka për të thënë: Besoj se me kalimin e kohës, ai do të ambientohet mirë dhe gjithçka do të shkojë në rregull. Më habit fakti se, aktualisht, i vetmi shqetësim i Moratës është kostoja e apartamentit…”.

Por Morata nuk është i vetmi që ankohet për qiratë e banimit. Edhe Michael Ballack, që kaloi te Chelsea në vitin 2006, apo ish-rusi i Arsenalit, Andrey Arshavin, denonconin publikisht koston e lartë të jetesës në kryeqytetin britanik.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA