Mbrëmja e dytë e ndeshjeve të katërta në grupet e Champions League është shënuar kryesisht nga dy rezultate befasuese. Kampionët e Realit të Madridit janë “gjunjëzuar” në “Wembley” të Londrës nga Tottenham Hotspurs, ndërsa Napoli i Elseid Hysajt rrezikon të mbetet jashtë turneut prestigjioz, pas humbjes në “San Paolo” 2-4 nga Manchester City.
Një natë triumfuese për britanikët mund të konsiderohet kjo e kësaj të mërkure, pasi veç “Citizens” dhe “Spurs”-ave, të fituar kanë dalë edhe “The Reds”-at e Liverpoolit, 3-0 përballë sllovenëve të Mariborit.
Aktualisht, City dhe Tottenham presin biletën për në fazën e ardhshme me eliminim direkt, sikurse bëri më herët në orën 18:00 edhe Beshiktashi me barazimin 1-1 ndaj Monacos.
Liverpoolit do t’i duhet të presë ende, edhe pse kryeson grupin E me 8 pikë, me Sevillan që ndjek me 7, ndërsa Spartaku i Moskës gjendet në kuotën e 5 pikëve. Maribor duket se e ka të pamundur vijimin e aventurës europiane.
Napolit do t’i duhet të mposhtë Shakhtarin në përballjen direkte me më shumë se një gol diferencë në “San Paolo”, për të shpresuar më pas që City të mos “bëjë dhurata” ndaj ukrainasve në ndeshjen e fundit. Një natë për t’u harruar ishte kjo për gjermanët, me Dortmundin që nuk shkoi më shumë sesa barazimi 1-1 me APOEL-in e Nikosisë, ndërsa Leipzig u mposht nga Porto 1-3 në duelin për vendin e dytë të grupit G.
Top Channel