Ulet numri i azilkërkuesve, në tre muaj ndalohen 7300 persona në kufi

31/10/2017 15:28

Sipas autoriteteve të Ministrisë së Brendshme, partnerët raportojnë se numri i azilkërkuesve shqiptarë është ulur ndjeshëm krahasuar me vitin 2016.

Zv\ministrja e Brendshme, Rovena Voda thotë për Top Channel se po zbatohen me përpikmëri marrëveshjet me qeverinë franceze dhe atë italiane.

“Po të krahasojmë këtë 9 mujor me të njëjtën periudhë të një viti më parë na rezultojnë rreth 3500 azilkërkues më pak. Po ashtu edhe trendi i të miturve të pashoqëruar është në rënie”, thotë Voda.

Prej muajit gusht, policia ka shtuar masat në pikat e kalimit kufitar për parandalimin e këtij fenomeni.

“Po të marrim periudhën 1 Gusht – 27 Tetor janë ndaluar për të dalë nga territori i Shqipërisë, pasi kanë pasur mungesë dokumentacioni, në total 7312 shtetas nga te cilët 6630 janë të rritur dhe 682 minorenë”, thotë Aida Hajnaj, drejtoreshë për kufirin dhe migracionin.

Ndërkohë, për të njëjtën periudhë janë proceduar penalisht për braktisje të të miturve në zonën shengen 44 prindër.

Top Channel