Skënderbeu drejt Beogradit, Ilir Daja: Jemi të barabartë

31/10/2017 19:40

Skënderbeu ditën e mërkurë do të niset drejt Beogradit për ndeshjen e kthimit me Partizanin që do të zhvillohet ditën e enjte.

Korçarët e kanë kaluar ditën e meratë në një analizë të gjatë me pamje filmike të përballjes së tyre të parë, duke kuptuar se çfarë mund të bëjnë më mirë në këtë takim të kthimit.

“Kjo do të jetë një ndeshje e rëndësishme për ne dhe deri diku e barabartë me kundërshtarin. Por nisur nga e shkuara mund të them se kemi disi avantazh duke patur parasysh se skuadra jonë ka luajtur gjithmonë më mirë në transfertë”, u shpreh trajneri Daja.

Ndërkohë që Daja kërkon gjithashtu që kundërshtari i tyre t’i presë në të njëjtën mënyrë.

“Shpresoj që të na presin në të njëjtën mënyrë si i pritëm. Ne treguam se dimë të organizojmë ndeshje edhe të këtij niveli”, tha Ilir Daja.

Ndërkohë që Beogradi ka shije të keqe për disa futbollist të përfaqësueses që kanë qenë pjesë e mbrëmjes së 14 tetorit të vitit 2014-të. Mes tyre tek skuadra e Skënderbeut është kapiteni Orges Shehi, pjesë e asaj ngjarjeje të turpshme.

“Ato episode i përkasin së shkuarës, unë nuk mendoj se do të arrijnë të përsëriten dhe nuk i trembem kësaj gjëje, por gjithsesi dua të theksoj se ne shkojmë atje për të luajtur futboll”, thotw kapiteni Orges Shehi.

Edhe për Shehin shanset e Skënderbeut atje për një fitore janë të mëdha. “Kur filluan këto eliminatore ne vendosëm një objektiv dhe nuk e vendosëm kot, por bazuar në shanset tona në këtë grup. Kështu që besoj se do t’ja dalim”, tha Shehi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA