“Fiks Fare”, filtrat që ndosin ujin e pijshëm…

31/10/2017 21:16

“Fiks Fare” solli mbrëmjen e kësaj të marte një rast flagrant të mashtrimit të konsumatorit me filtrat e ujit. Disa kompani që shesin filtra për të pastruar ujin e rrjetit nga mikrobet dhe metale e rënda, në të vërtetë kryejnë funksion të kundërt.

“Fiks Fare” solli rastin e 3 kompanive filtrash uji, që operojnë prej vitesh në Shqipëri, të cilat shesin impiante filtrimi për ujin e pijshëm. Këto filtra kanë çmime të ndryshme, që mund të arrijnë deri në 1.500 euro.

Rezultati i ujit, edhe pas përdorimit të këtyre filtrave, është me ngarkesë të madhe mikrobiologjike dhe rënie të kripërave.

Pranë redaksisë së emisionit “Fiks Fare” kanë mbërritur ankesa se, impiantet e filtrimit për të cilat kanë shpenzuar shumë nuk e pastrojnë ujin nga mikrobet, por thjesht ulin nivelin e kripërave dhe mineraleve të domosdoshme për shëndetin e njeriut.

Pas këtyre informacioneve, “Fiks Fare” nisi një investigim për të parë sesi këto kompani i masnin parametrat e ujit dhe pretendonin se, me impiantet e tyre arrinin cilësinë maksimale të ujit, që vjen nga rrjeti.

Për të vërtetuar cilësinë e matjes, gazetarët e “Fiksit” shkuan pranë këtyre kompanive me mostra uji të distiluar të blerë në një market. Uji i distiluar nuk ka asnjë vlerë shëndetësore, pasi i janë hequr kripërat dhe mineralet. Ai gjen zakonisht përdorim për pajisje shtëpiake, si hekur rrobash apo në bateritë e makinave, por kurrsesi për konsumim.

Gazetarët, pasi shkuan në terren te këto kompani dhe u njohën me çmimet e llojet e impianteve, u kërkuan të bënin matjen e ujit të distiluar, duke pretenduar se ishte ujë i filtruar nga një pajisje e thjeshtë dhe e lirë.

Nga matjet me elektrolizë që bënë këto 3 kompani rezultoi se, uji i distiluar ishte në parametra idealë për t’u konsumuar, ndërsa uji i rrjetit ishte i kontaminuar dhe në nivele shumë të larta të ndotjes. Ata pretendonin se me filtrat e pajisjeve që tregtonin, uji i rrjetit kthehej në ujë të pijshëm, në parametra të njëjtë me ujin e distiluar.

Prova që ndoqi “Fiks Fare” tregoi se, këto impiante, jo vetëm që nuk masnin vlerat reale të ujit, por i hiqnin kripërat dhe mineralet e nevojshme për shëndetin. Kompanitë pretendonin se masnin ndotjen, por në fakt, në të vërtetë masnin vlerat e kripërave.

Provën e bënin me një aparaturë, që në të vërtetë bën procesin e elektrolizës. Elektroliza paraqet procesin e zbërthimit të disa lëndëve apo të trupave në pjesët e tyre përbërëse, me anë të rrymës elektrike.

Këtë gjë bëri edhe njëri prej punonjësve të njërës prej këtyre kompanive, në shtëpinë e një prej ankuesve në “Fiks Fare”. Ai vendosi në një gotë ujin e rrjetit, në tjetrën ujë importi në shishe (të një prej kompanive më me emër në Europë) dhe në tjetrin ujin e aparatit të filtrimit.

Më pas i vendos në gotat në fjalë pajisjen që supozohet se bën matjen e pastërtisë së ujit. Bëhet procesi i elektrolizës dhe në të dyja gotat dalin në sipërfaqe kripërat, të cilat punonjësi i kompanisë së filtrave të ujit i quan ndotje të ujit, papastërti, duke u munduar në këtë mënyrë të mashtrojë.

“Fiksi”, për ta vërtetuar edhe më mirë këtë fenomen, i shoqëruar edhe nga një specialiste e ISHP-së, mori mostra uji në 3 familje, të cilat kishin të montuara impiante të filtrimit të ujit. Te tria familjet kishin impiante nga firma të ndryshme që operojnë në treg.

Specialistja e ISHP-së, së bashku me gazetarët morën mostra të ujit të pijshëm para dhe pas filtrimit, pikërisht në familejt ku ishin të instaluara impiantet e filtrimtit të ujit të 3 kompanive, ku kishin shkuar më parë bashkëpunëtorët e “Fiks Fare”.

Në Institutin e Shëndetit Publik u bënë 3 lloj analizash: bakteriologjike, fiziko-kimike dhe për metalet e rënda. Nga këto rezultoi se uji i rrjetit ishte i ndotur para filtrimit vetëm në një rast. Ajo që të binte në sy nga këto analiza ishte se, niveli i ndotjes me “koliform bakteria” rritej pas procesit të kalimit të ujit në impiantin e filtrimit. Madje, në dy raste, uji i rrjetit nuk kishte fare ndotje, por kur dilte nga impianti i filtrimit rezultonte i ndotur me “koliform bakteria”.

Këtë e konfirmoi edhe specialistja e ISHP-së, znj. Shkëlqime Poga. Gjithashtu, analizat treguan se metalet e rënda ishin brenda normave para dhe pas filtrimit të ujit.

FOTO GALERI
6/6

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA