SHÇBA arreston për shitje narkotikësh policin

31/10/2017 13:50

Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në bashkëpunim me Sektorin Kundër Narkotikëve në Policinë e Durrësit kanë arrestuar punonjësin e policisë së Durrësit, Fatmir Meço.

33-vjeçari, polici i patrullës në këtë komisariat akuzohet për shpërdorim detyre dhe prodhim e shitje të narkotikëve. Gjithashtu u arrestua edhe Fitim Selaci, 19 vjeç dhe janë shpallur në kërkim A. M., 24 vjeç dhe R. T, 19 vjeç me akuzën e shitjes së narkotikëve.

Sipas policisë, arrestimi i punonjësit të policisë Meço u bë pas një hetimi disa mujor, zhvilluar me metoda speciale nga SHÇBA. Nga ky hetim rezultoi se efektivi i Komisariatit të Durrësit bashkëpunonte me Fitim Selacin dhe dy personat e shpallur në kërkim, për prodhimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike.

Fatmir Meço duke shfrytëzuar pozicionin e tij, u garantonte pjesëtarëve të grupit lehtësi në mbajtjen dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike. Në disa raste, dyshohet se ky punonjës policie ka transportuar dhe shpërndarë edhe vetë lëndë narkotike.

Gjatë kontrollit në banesë atij iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi lënde narkotike e llojit kanabis, si dhe një presë për paketimin e lëndës narkotike.

Në banesën e Fitim Selaci në Fushë Krujë u sekuestrua një sasi prej 6.3 kg lëndë narkotike e llojit kanabis.

Top Channel